
Paqe apo mashtrim? Gaza sot në buzë të shpërthimit
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, avionët luftarakë izraelitë bombarduan sërish zonën e Rafahut në jug të Gazës, ndërkohë që në disa pjesë të qytetit janë raportuar përplasje të armatosura. Ushtria izraelite pretendon se u qëllua nga militantë të Hamasit me raketa antitank dhe zjarr ndaj trupave tokësore. Si përgjigje, ajo ka ndërmarrë "veprime parandaluese", që përfshijnë goditje ajrore dhe mbylljen totale të pikës kufitare me Egjiptin.
Ndërkohë, autoritetet palestineze në Gaza e kanë akuzuar Izraelin për shkelje të përsëritura të armëpushimit, duke raportuar dhjetëra civilë të vrarë dhe të plagosur vetëm gjatë tri ditëve të fundit. Bilanci po rëndohet përditë, ndërsa marrëveshja për paqe, e ndërmjetësuar dhe e promovuar me zhurmë nga administrata e Donald Trump, po shkërmoqet përpara syve të gjithë botës.
Nga pala izraelite, justifikimet nuk mungojnë. Pretendimi është i njëjtë: Hamasi po e shfrytëzon pauzën për të rimarrë frymë, për t’u riarmatosur, për të mbajtur nën kontroll territorin dhe për të shtyrë lirimin e pengjeve. Nga ana tjetër, Hamasi e sheh çdo ndërhyrje si shkelje brutale dhe manipulim të marrëveshjes, duke paralajmëruar se procesi mund të dështojë plotësisht nëse vazhdon kjo qasje.
Në realitet, gjithçka që po ndodh sot tregon se armëpushimi nuk ka qenë kurrë marrëveshje për paqe – ka qenë një ndalesë taktike. Dhe tani që të dyja palët e shohin të papërshtatshme për interesat e tyre, po gjejnë arsyetime për ta minuar. Ndërkohë, qytetarët e Gazës jetojnë në një zonë gri mes iluzionit të paqes dhe tmerrit të luftës.
Ajo që është më e rrezikshme sot nuk janë vetëm raketat apo avionët. Është loja politike që po bëhet mbi shpatullat e miliona civilëve. Donald Trump e paraqiti veten si njeriu i paqes, që zgjidhi atë që të tjerët nuk mundën. Në fakt, ai solli një marrëveshje që nuk kishte rrënjë reale në asnjë garanci, dhe u bë më shumë një shfaqje për fushatën e tij presidenciale sesa një plan për zgjidhje afatgjatë.
Nga ana tjetër, Benjamin Netanyahu e ka përdorur këtë marrëveshje për të forcuar pozitat e tij të brendshme. Në vend që të ulë tensionet, ai ka zgjedhur të flasë për “veprime të ashpra”, për çarmatim me çdo kusht, për dorëzime pengjesh si parakusht për hapje kufijsh. Fjalori është ai i një lideri që mendon për sondazhet, jo për jetët.
Kjo situatë nuk është më thjesht e rrezikshme, është e pashpresë nëse vazhdohet kështu. Sepse kur liderët përdorin paqen si skenografi dhe luftën si levë për pushtet, atëherë popujt nuk kanë më çfarë të presin përveçse tragjedi të reja. Dhe kur vëzhguesit ndërkombëtarë heshtin, kur ndihmat ngecin nëpër kufij të mbyllur dhe kur familjet numërojnë të vdekurit e rradhës, çdo fjalë për “progres diplomatik” tingëllon si fyerje.
Në këtë orë të errët, më shumë se kurrë, duhet thënë hapur: përgjegjësia nuk ndahet më në mënyrë abstrakte. Ajo ka emra, ka llogari për të dhënë. Dhe nëse paqja dështon për shkak të arrogancës së liderëve që luajnë me zjarrin për interesa personale, atëherë historia do t’i gjykojë me të njëjtin standard me të cilin sot po gjykohen viktimat, padrejtësisht, në heshtje, dhe shumë vonë. /Pamfleti
Po cfare te besosh ne ate shtet gjenocidal. Qellimi i tyre ka qene shfarosja dhe kurre se besoj kete armepushim. Jane bere qesharake qe nga Usa e me rradhe. Mjere ata femije e njerez aty. Nuk e di si mbijetojne????