Gaza si provë e dytë e qytetërimit dhe heshtja arabe si zgjedhje strategjike
Nëse ekziston një qasje analitike që nuk është thjesht e gabuar, por e rrezikshme për vetë konceptin e lirisë, është krahasimi që disa qarqe islamike ndër shqiptarë kanë bërë mes Gazës dhe Kosovës, duke e barazuar Hamasin me Ushtrinë Çlirimtare të saj, edhe pse e para lufton në emër të zotit ndërsa UÇK luftonte në emër të qytetarëve.
Ky krahasim nuk qëndron as historikisht, as politikisht, as moralisht. Ai nuk është një keqkuptim i pafajshëm, është një deformim që errëson dallimin mes një lëvizjeje çlirimtare që kërkonte rend demokratik dhe një organizate ideologjike që imponon rend autoritar.
UÇK-ja nuk ishte Hamasi. Kosova nuk ishte Gaza. Dhe ky dallim nuk është semantik; është substancial.
UÇK-ja: një lëvizje për rend demokratik, jo për pushtet ideologjik
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte një ushtri ideologjike. Ajo nuk kërkonte të ndërtonte një rend teokratik, as të eksportonte një ideologji fetare apo nacionaliste. Ishte një reagim ndaj një pushtimi brutal, me qëllim të qartë: çlirimin e territorit dhe ndërtimin e institucioneve demokratike. Në këtë kuptim, UÇK-ja ishte pjesë e një projekti politik që synonte integrimin në rendin perëndimor, jo përmbysjen e tij.
Hamasi, në të kundërt, është një projekt ideologjik me rrënjë në një rend teokratik që sfidon vetë themelet e shtetit laik. Ai nuk kërkon vetëm çlirim territorial, por transformim të rendit shoqëror dhe politik në përputhje me një vizion të ngushtë fetar. Prandaj, krahasimi me UÇK-në është jo vetëm i pasaktë, por edhe fyes për vetë historinë e Kosovës.
Hamasi dhe kleronacionalizmi serb: dy anë të së njëjtës medalje
Nëse duam të bëjmë krahasime të sakta, politika e Hamasit për çlirimin e “vendeve të shenjta” përkon më shumë me politikën e kleronacionalizmit serb, që synonte të rikthente dominimin e Serbisë mbi territore të cilat i konsideronte si pjesë të trashëgimisë historike dhe fetare. Hamasi kërkon shkatërrimin e Izraelit me çdo kusht, ndërsa UÇK-ja nuk kërkonte shkatërrimin e Serbisë, por vetëm largimin e saj nga një territor që e kishte okupuar në mesjetë dhe sërish në shekullin XX.
Në këtë dritë, politika e shtetit të Kosovës për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për integrim në rendin ndërkombëtar përkon më shumë me atë të Izraelit, i cili e kishte çliruar Jerusalemin nga pushtimi islamik dhe kishte ndërtuar një shtet laik, me institucione funksionale dhe pluralizëm politik.
Çlirimi i Gazës: nga tanket te institucionet
Vetëm tani, me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Presidenti Trump, Gaza po hyn në një fazë që mund të krahasohet me Kosovën pas vitit 1999. Kjo marrëveshje nuk është thjesht një armëpushim, por një projekt për çlirimin e dyfishtë të Gazës: nga pushtimi ushtarak izraelit dhe nga kapja ideologjike e Hamasit. Kthimi masiv i qytetarëve pranë shtëpive të rrënuara është më shumë se një akt humanitar, është një rikthim i sovranitetit qytetar.
Forcat ndërkombëtare, çarmatosja e forcave lokale dhe garancionet e SHBA-së janë elementët që e bëjnë këtë proces të ngjajshëm me atë të Kosovës. Por ngjashmëria nuk është në të kaluarën; është në të ardhmen që po ndërtohet: një rend ku qytetarët, përmes votës së lirë, ndërtojnë institucione laike dhe jetësojnë një autonomi politike të çliruar nga të dy pushtuesit.
Ekonomia si themel i rendit të ri
Në këtë kontekst, investimet e huaja amerikane, perëndimore, arabe dhe turke, nuk janë vetëm ndihmë ekonomike. Ato janë instrumente të modernizimit. Ato krijojnë vende pune, ndërtojnë infrastrukturë, dhe më e rëndësishmja: ofrojnë alternativa ndaj varësisë nga buxheti i shtetit apo nga strukturat ideologjike. Kjo është mënyra më e qëndrueshme për të çliruar qytetarin: duke i dhënë atij mundësi reale për të jetuar me dinjitet.
Turqia dhe SHBA-ja, me përvojën e tyre të ndryshme por komplementare, mund të luajnë rol kyç në këtë transformim. Ato mund të ndihmojnë në ndërtimin e një rendi ku qytetari palestinez e sheh interesin e vet në mbështetjen e institucioneve laike, sepse ato i ofrojnë siguri, punë dhe perspektivë.
Gaza si provë e dytë e qytetërimit dhe heshtja arabe si zgjedhje strategjike
Vetëm kështu mund të kuptohet heshtja arabe përballë pushtimit izraelit: jo si miratim, por si refuzim i alternativës më të rrezikshme, eksportimit të revolucionit islamik në rajon, përvetësimit të “vendeve të shenjta” dhe ndërtimit të gjithë jetës shoqërore rreth një modeli teokratik. Heshtja nuk është dorëzim, por kalkulim: një zgjedhje për të ruajtur rendin laik, për të mbrojtur baraspeshën rajonale dhe për të mos lejuar që Gaza të bëhet trampolinë për një rend që kërcënon vetë themelet e shtetit modern.
Në këtë dritë, bashkëpunimi mes SHBA-së, Turqisë dhe Egjiptit nuk është vetëm diplomaci — është arkitekturë politike. Ai mund të sjellë lirinë ekonomike dhe politike, dhe të mobilizojë vullnetin qytetar për të ndërtuar institucione laike, efektive dhe një demokraci model. Gaza nuk është si Kosova, por mund të bëhet, nëse çlirimi nuk ndalet te tanket, por vazhdon te idetë, te ekonomia dhe te vota. Dhe vetëm atëherë, historia e Gazës do të shkruhet jo si një përsëritje e dhimbjes, por si një fillim i ri i lirisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje