
Të hënën, investitorët financiarë treguan qetësi dhe vetëpërmbajtje, pavarësisht përshkallëzimit të përplasjes mes Izraelit dhe Iranit. Madje, një zë për mundësinë që regjimi iranian po kërkon negociata të reja për programin bërthamor, nëse konfirmohet, u interpretua si shenjë kapitullimi të heshtur dhe përmirësoi ndjeshëm klimën në tregje.
Çmimi i naftës Brent ra me 1.5%, yield-et e bonove sovrane evropiane gjithashtu u ulën, dhe bursat kryesore u rritën, me përjashtim të Moskës, e cila përfitoi nga çmimet e larta të naftës ditën e premte.
Një sistem ndërkombëtar pa liderë edhe në financa
Kur kjo valë destabilizimi të kalojë, shumë do të duhet të pranojnë se reagimi i tregjeve zbulon ndryshimin e arkitekturës ndërkombëtare: një botë pa udhëheqës të qartë në strategji lufte, dhe tashmë, edhe pa qartësi në financat globale.
Lëvizjet e investitorëve drejt "aseteve të sigurta", një refleks klasik në kohë krize, kanë qenë këtë herë më të ndryshme se në të kaluarën. Duket se besimi ndaj ekonomive të mëdha dhe valutave globale si dollari, euro apo juani është më i lëkundur se dikur.
Dollari, euroja dhe ari: Kush ruan besimin e tregjeve?
Dollari amerikan pati rritje të menjëhershme në orët e para të sulmeve, por më pas ra në vlerë, duke përfunduar ditën vetëm 0.3% mbi nivelin para sulmeve – një sinjal se nuk është më mbështetja absolute e investitorëve.
Obligacionet amerikane (Treasuries) pësuan shitje të konsiderueshme, si të premten, ashtu edhe të hënën, për shkak të borxhit publik të lartë dhe pasigurisë institucionale në SHBA. Në kontrast, obligacionet evropiane u blenë, si alternativë më e qëndrueshme.
Euroja, megjithëse më e qëndrueshme, nuk shihet ende si një strehë ideale, për shkak të fragmentimit financiar mes vendeve anëtare të eurozonës.
Ari, përkundrazi, u rrit me 1.77% vetëm të premten, duke u afruar me rekordin historik dhe duke konfirmuar statusin e tij si "valutë e fundit" në kohë të pasigurta.
Epoka e G-Zero: Ari zë vendin e valutave globale
Bota financiare po afrohet gjithnjë e më shumë me konceptin e “G-Zero”, të përshkruar nga analisti Ian Bremmer, një botë pa fuqi udhëheqëse globale. Një raport i fundit i Bankës Qendrore Evropiane tregon se përqindja e dollarit dhe yuanit në rezervat ndërkombëtare po bie, ndërsa euroja nuk po rritet. Vetëm ari po fiton terren, dhe tashmë ka kaluar euron për nga pesha në rezervat globale monetare.
Lini një Përgjigje