Ekonomi15 Prill 2024, 14:30

Pranverë e 'nxehtë' për lekun, monedha shqiptare pranë rekordit historik

Shkruar nga Pamfleti
Pranverë e 'nxehtë' për lekun, monedha shqiptare
Monedha shqiptare

Monedha shqiptare e nisi javën me një forcim të mëtejshëm kundrejt euros dhe dollarit të hënën më 15 prill, duke shënuar minimume historike dhe duke sinjalizuar se presionet mbiçmuese të shënuara tashmë prej vitesh, vijojnë të jenë në lojë. Euro u këmbye të hënën me 100.78 lekë ndërsa dollari u këmbye me 94.58 lekë sipas kursit mesatar fiks të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Që nga fillimi i këtij viti, leku është luhatur brenda një bande të ngushtë, nga 100.78 në 104.5 lekë për euro, me një mesatare 14 javore prej 103.6 lekë ndërsa java e fundit ka shënuar forcim të mëtejshëm.

Ecuria e pazakontë e monedhës kombëtare sfidon në këtë mënyrë zhvillimet tipike sezonale të krijuara përgjatë dekadave, pasi muajt e dimrit historikisht kanë qenë periudha presionesh nënçmuese ndaj lekut për shkak të rritjes së importeve, deficitit tregtar dhe tërheqjes së fitimeve nga investimet e huaja të drejtpërdrejta, të tilla si bankat apo kompanitë celulare, të cilat në këtë periudhë të vitit mbyllin bilancet dhe transferojnë tepricat në vendet e origjinës.

Në fakt, të dhënat e tregtisë së jashtme për dy muajt e parë të këtij viti sugjerojnë se efekti sezonal i rritjes së deficitit tregtar është në fuqi edhe këtë vit. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, deficiti tregtar për janarin dhe shkurtin arriti në 72 miliardë lekë (rreth 720 milionë euro) me një rritje 53% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat mbi daljen e valutës në formën e riatdhesimit të fitimeve nuk janë ende të disponueshme por të dhëna indirekte, të tilla si çmimet e telefonisë celulare në rritje apo fitimet e deklaruara të bankave (në rekord historik) sugjerojnë se edhe ky fenomen  sezonal është i pranishëm.

Sektori i turizmit, i cili mund të shpjegojë një pjesë të valutës shtesë në treg duket se nuk ndihmon shumë në këtë drejtim. Me të vërtetë, numri i turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri përgjatë dy muajve të parë të këtij viti është rritur me 49% në bazë vjetore duke arritur në mbi 1 milionë vetë, por në të njëjtën kohë, numri i shtetasve shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë vendit, dhe rrjedhimisht kanë shpenzuar euro, u rrit në 1.15 milionë vetë, sipas INSTAT. Me pak fjalë, eurot shtesë që duhet të kenë ardhur në Shqipëri nga turistët e huaj, janë kompensuar në një masë jo të vogël, nga eurot shtesë që shqiptarët kanë shpenzuar jashtë vendit.

Forcimi i pazakontë i lekut nisi në vitin 2016, kur euro kushtonte 140 lekë ndërsa u përshpejtua gjatë vitit 2023, kur leku kërceu nga 113 lekë për euro në fillim të vitit, në 104 lekë në fund të vitit. Supozohet se kursi i lirë i këmbimit vetërregullohet. Me pak fjalë, ndërsa leku forcohet, importet bëhen më të lira dhe eksportet më të shtrenjta, e për rrjedhojë, tendenca në një farë pike duhet të përmbytet. Dhe logjika ta do që sa më shumë forcohet leku, aq më shumë duhet të jemi pranë pikës kur importet e lira fillojnë të gërryejnë valutën e tepërt në treg. Kjo gjithsesi nuk po ndodh, së paku jo tani./ Reporter.al

monedha shqiptare leku euro