ILD kërkesë në Kushtetuese për procedim disiplinor të Olger Eminajt...
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është vënë në lëvizje për skandalin seksual të ndodhur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Falë një investigimi të kryer nga ekspertë të shoqatës “Media dhe Drejtësi”, u arrit të vërtetohej se si anëtari i KLP-së, Olger Eminaj, kishte ngacmuar seksualisht një qytetare. Investigimi u publikua nga emisioni “Stop” dhe, në bisedat e bëra publike, Eminaj i dërgonte foto erotike një zonje, teksa po ashtu kërkonte edhe favore seksuale.
Pas gati 3 muajsh, mësohet se Inspektorati i Lartë i Drejtësisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për fillimin e procedimit disiplinor ndaj anëtarit të KLP-së.
Gjykata Kushtetuese e ka riregjistruar çështjen dhe si relatore është caktuar gjyqtarja Marjana Semini. Vetë KLP nuk mori masa ndaj anëtarit të saj, por e dërgoi çështjen në ILD dhe kjo e fundit ka vënë në lëvizje Kushtetuesen.
Por si është historia? Një qytetare me inicialet R.M. humbi fëmijën për shkak të dhunës nga bashkëshorti. Ajo nuk e denoncoi në polici apo prokurori, sepse u mor me anën e saj shëndetësore. Ish-bashkëshorti e denoncoi për përndjekje, pa asnjë provë. Prokurorja Rovena Zoto nisi hetimet ndaj saj dhe jo vetëm kaq.
Gjatë seancave në Gjykatën e Tiranës, ajo pretendon se situata agravoi, pasi prokurorja Zoto u ndje e ofenduar nga një përmendje që R.M. i bëri emrit të babait të saj.
Sipas qytetares, kjo solli reagim të ashpër nga prokurorja, e cila e kërcënoi denoncuesen me burg, duke i hapur më pas edhe një procedim tjetër penal. Pas kësaj padrejtësie, ajo iu drejtua Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metanit. Por ky i fundit nuk bëri asgjë. Iu drejtua Kryeprokurorit të Tiranës. Por edhe ai asgjë. Më pas iu drejtua kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani, dhe anëtarit Olger Eminaj, sepse ky i fundit kishte në dorë vlerësimin e prokurores.
Në këtë fazë, ajo thotë se është kontaktuar më pas në Facebook nga vetë Olger Eminaj. Pas shkëmbimit të kontakteve, komunikimi kaloi në WhatsApp.
Sipas materialeve të siguruara nga “Shoqata Media dhe Drejtësi”, komunikimet mes R.M. dhe Olger Eminajt kanë marrë natyrë thellësisht erotike.
Anëtari i KLP-së, Eminaj, i ka dërguar foto të organit seksual dhe ka zhvilluar biseda me përmbajtje seksuale, madje edhe gjatë orarit zyrtar dhe brenda ambienteve të institucionit, ku ushtron detyrën. Ai i kërkon asaj Viagra, lodra seksi, madje edhe përgojon kolegët.
Lini një Përgjigje