
Vendimi i Gjykatës së Romës për të kthyer mbrapsht në Itali 12 emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti që ndodheshin në kampin në Gjadër ka sjellë përplasje mes Giorgia Melonit dhe magjistratëve.
Sipas La Repubblica, pavarësisht vendimit të gjykatës, qeveria italiane nuk do të tërhiqet.
Prestigjiozja italiane raporton se Giorgia Meloni ka deklaruar se javën e ardhshme në Shqipëri do të vijë një grup tjetër me refugjatë. Kryeministrja italiane është shprehur se do të gjenden zgjidhje alternative.
Ditën e sotme u nisen drejt Italisë, 12 emigrantët që prej 3 ditësh ishin akomoduar në kampin e Gjadrit.
Një anije e rojës bregdetare italiane mbërriti mëngjesin e sotëm në portin e Shëngjinit, ndërsa një autobus nën masa të forta sigurie, bëri transportin e grupit prej 12 emigrantësh nga Gjadri drejt portit.
I gjithë procesi ka zgjatur vetëm pak minuta, ndërsa pas procedurave formale, grupi prej 12 emigrantësh ka hipur në anije për tu rikthyer në Itali.
Me shumë gjasë anija me 12 emigrantët do të ndalet në portin e Barit dhe më pas emigrantët do të akomodohen në një qendër pritjeje, ku do të kenë një afat 14 ditor për të apeluar vendimin që refuzon azilin e tyre.
Ditën e djeshme seksioni i emigracionit në gjykatën e Romës nuk e ka vërtetuar ndalimin e tyre brenda qendrës.
Lini një Përgjigje