TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota2024-10-18 20:20:00

Gjykata i “dogji” marrëveshjen me Ramën, Meloni në alarm: S’i takon gjyqësorit të vendosë se cilat vendet janë të sigurta

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata i “dogji” marrëveshjen me Ramën, Meloni në

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka komentuar vendimin e Gjykatës së Romës, që hodhi poshtë marrëveshjen e saj me kryeministrin Edi Rama, për çështjen e emigrantëve teksa tha se këta të fundit duhet të kthehen menjëherë në Itali.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka njoftuar se do të mbledhë të hënën Këshillin e Ministrave për të diskutuar vendimin e sotëm të Gjykatës së Romës, e cila vendosi kthimin e menjëhershëm në Itali të emigrantëve të strehuar në Gjadër.

Gjatë një deklarate nga Bejruti ku po zhvillon një vizitë zyrtare në kuadër të tensioneve në Lindjen e Mesme, Meloni e alarmuar e cilësoi vendimin e gjykatës si paragjykues, ndërsa është shprehur se sipas saj, nuk është përgjegjësi e gjyqësorit të vendosë se cilat vendet janë të sigurta dhe cilat jo.

"Është shumë e vështirë të punosh dhe të përpiqesh t'i japësh përgjigje këtij kombi kur ke edhe kundërshtime nga disa prej institucioneve, që duhet të ndihmojnë në dhënien e përgjigjeve.

Kam thirrur këshillin e ministrave për të hënën e ardhshme për të zgjidhur këtë problem, për të miratuar rregullat për të kapërcyer këtë pengesë, sepse mendoj se nuk i takon gjyqësorit të thotë se cilat vende janë të sigurta, por qeverive, kështu që qeveria do duhet ta sqarojë më mirë”, u shpreh kryeministrja Meloni.

Më tej, Meloni deklaroi se problemi nuk është në Shqipëri, por problem është se nuk mund të bëhet asnjë politikë mbrojtjeje e kufijve, dhe për këtë arsye shpresoj se (gjykatësit) do të më thonë edhe se si zgjidhet.

“Mendoj se vendimi i gjyqtarëve në Romë është paragjykues , siç dëshmohet nga fakti se ky vendim i gjyqtarëve është parashikuar dje nga disa anëtarë të Partisë Demokratike. Çështja nuk është Shqipëria. Çështja është shumë më e gjerë, sepse në thelb ajo që thonë gjyqtarët është se nuk ka vende të sigurta. Është shumë e vështirë të punosh dhe të përpiqesh t’i japësh përgjigje këtij kombi kur ke edhe kundërshtime nga disa prej institucioneve që duhet të të ndihmojnë t’u japësh përgjigje problemeve.

Kështu që unë ju komunikoj zyrtarisht se problemi nuk ekziston në Shqipëri. Problemi është se askush nuk mund të riatdhesohet më. Problemi është se nuk mund t’i refuzoni njerëzit . Problemi është se nuk mund të bëni asnjë politikë mbrojtjeje të kufijve dhe për këtë arsye shpresoj se do të më thonë edhe se si zgjidhet. Shpresoj që të gjenden zgjidhje edhe për mua, sepse unë jam ajo që më pas duhet t’i gjej zgjidhjet dhe në fakt do të gjej zgjidhje edhe për këtë problem", tha Meloni.

Ndër të tjera ajo theksoi se italianët i kanë kërkuar të ndaloj imigracionin ilegal, dhe për këtë arsye, do të bëj çmos për të kufizuar imigracionin masiv të paligjshëm.

"Do të humbim akoma kohë, por unë kam mbledhur tashmë Këshillin e Ministrave të hënën për të zgjidhur këtë problem, sepse kam ndërmend të eci përpara. Italianët më kanë kërkuar të ndaloj imigracionin ilegal dhe unë do të bëj çmos për të kufizuar imigracionin masiv të paligjshëm. Më vjen keq që në një kohë kur e gjithë Evropa po shikon me interes diçka që po bën Italia, ne po mundohemi si gjithmonë të flasim në mënyrën tonë, por është një çështje që do të zgjidhet së shpejti", deklaroi kryeminstrja italiane.

Mediat italiane kanë raportuar se 12 emigrantët do të nisen drejt Italisë ditën e nesërme, më datë 19 tetor.

“12 emigrantët do të nisen nesër nga Shqipëria me një anije të Marinës për t’u kthyer në Itali, duke zbarkuar në Bari”, shkruan ANSA.

Ditën e sotme magjistratët e Romës nuk miratuan vendimin për mbajtjen në Shqipëri të 12 azilkërkueseve që vinin nga Egjipti dhe Bangladeshi. Shkak i vendimit të drejtësisë italiane, ishte vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, i dalë më 4 tetor.

Në atë vendim thuhet se një shtet për t’u konsideruar i sigurtë, duhet të jetë i tillë në çdo pjesë të tij për çdo person. 

“Nuk mund të kenë paragjykime apo diskriminime, ose tortura në asnjë zonë të territorit. Egjipti dhe Bangladeshi, siç është dhe Tunizia, nuk janë vende të sigurta”, thotë vendimi.

Mediat raportojnë autoritetet Italiane në kampin e Gjadrit ua refuzuan kërkesat për azil 12 emigrantëve të ardhur në Gjadër dhe ata janë në pritje të riatdhesimit. Por me vendimin e Gjykatës së Romës, ata nuk do të mund të dëbohen.

 

gjykata meloni rama marreveshje gjyqesor

Lini një Përgjigje