TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota2026-01-23 13:55:00

Ursula von der Leyen: BE i rezistoi presionit amerikan

Shkruar nga Pamfleti
Ursula von der Leyen: BE i rezistoi presionit amerikan
Ursula von der Leyen

Bashkimi Europian ka reaguar me kujdes, por edhe me vendosmëri, pas tërheqjes së presidentit amerikan Donald Trump nga kërcënimet për Groenlandën.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE-ja arriti t’i rezistojë presionit amerikan duke qëndruar e bashkuar, e fortë, por pa përshkallëzim. Ajo theksoi se Brukseli synon të thellojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë për sigurinë në Arktik, përfshirë investime në pajisje mbrojtëse të përshtatura për këtë rajon dhe ndërtimin e një akullthyese europiane.

“Përtej investimeve, ne synojmë të thellojmë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë për sigurinë në Arktik. Duhet të përdorim rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen për pajisje të përshtatshme për Arktikun, si për shembull një akullthyese europiane, dhe të forcojmë marrëveshjet tona të sigurisë me partnerët në rajon,” tha ajo.

Në një tjetër deklaratë, von der Leyen tha se diskutimet treguan qartë se Europa duhet të punojë gjithnjë e më shumë për pavarësinë e saj strategjike.

“Ishte shumë e qartë në diskutime se ne ia dolëm duke qenë të vendosur, por jo përshkallëzues, dhe mbi të gjitha shumë të bashkuar. Por gjithashtu pati një diskutim të qartë se ne duhet të punojmë gjithnjë e më shumë për një Europë të pavarur,” shtoi ajo.

Ndërkohë, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, e përshëndeti vendimin e Uashingtonit për të mos vendosur tarifa të reja ndaj Europës, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv.

“Njoftimi i djeshëm se nuk do të ketë tarifa të reja amerikane ndaj Europës është pozitiv. Vendosja e tarifave shtesë do të ishte e papajtueshme me marrëveshjen tregtare mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara,” tha ai.

Costa paralajmëroi se BE-ja do të mbrojë interesat e saj nëse përballet me presion apo shantazh ekonomik.

“Qëllimi mbetet stabilizimi efektiv i marrëdhënieve tregtare mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, BE-ja do të mbrojë interesat e saj, shtetet anëtare, qytetarët dhe kompanitë e saj kundër çdo forme shtrëngimi, dhe ka mjetet për ta bërë këtë, nëse dhe kur të jetë e nevojshme”.

Liderët europianë u shprehën të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin me SHBA-të edhe për çështje globale, përfshirë paqen në Ukrainë dhe situatën në Gaza, megjithëse shprehën rezerva për disa elementë të planit amerikan për administrimin e përkohshëm të Gazës.

ursula von der leyen

Lini një Përgjigje