Ata që sot drejtojnë PD-në dhe kanë marrë nismën për ri-startimin e saj, po kërkojnë bashkimin dhe ri formatimin e partisë me lidership të ri në mendësi, pa “non grata” Sali Berishën, pa “langoj” anti-SHBA që i shkojnë mbrapa, pa grupe që partinë e duan për qëllimet e tyre dhe pa “llumin” e 30 viteve në krye të saj...
Vërtetë që Lulzim Basha i dha goditje fatale Sali Berishës me përjashtimin nga PD pas shpalljes “non grata”, duke e zhveshur nga miti i sundimtarit të hekurt prej 30 vitesh në krye të partisë.
Por edhe Sali Berisha, e kundër-sulmoi me lëvizjen Foltore, të cilën e deklaroi si reagim ndaj SHBA, por realisht shkatërroi strukturat në bazë, Kryesinë, Këshillin Kombëtar e Grupin Parlamentar të PD, duke i përçarë, ndarë në çeta dhe futur në armiqësi me njeri-tjetrin.
Qëllimi i tij, ishte ri-marrja e PD, për t’u ri-kthyer në pushtet, si e vetmja mundësi për të qenë me “artileri të rëndë” në betejën për të imponuar heqjen e damkës “non grata”, gjë të cilën nuk e realizoi dot, jo se nuk luftoi e nuk financoi, por është “milingonë” përballë SHBA.
Bilanci i luftës së tij 2-vjeçare, është ky: Shpallja “non grata” edhe nga Londra; shpërfillja e plotë nga shtetet, liderët e institucionet e BE; dështimi për marrjen e vulës së PD dhe humbja katastrofike në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Humbja e zgjedhjeve, Sali Berishës i ka prishur skenarët e i ka shuar shpresat për marrjen e PD-së, mbasi kundër tij janë pozicionuar pothuajse të gjithë deputetët, drejtuesit lokalë, demokratët qendrestarë, intelektualët e kampit “blu”, mbështetës të njohur e analistë shërbyes të Saliut.
Të lodhur prej 10 vitesh në opozitë, dhe të dërmuar prej humbjes së thellë më 14 maj, për shkak të ndarjes së PD prej lëvizjes Foltore, të gjithë zërat e kategoritë në kampin “blu”, janë pozicionuar kundër tij me thirrjen: - Sali, ik, je “lugat” për shqiptarët dhe ndërkombëtarët.
Nëse DASH i ka bërë thirrje të hapur demokratëve për të larguar Sali Berishën, duke mos i shkuar mbrapa sepse është pengesë për ardhjen në pushtet; Edi Ramës i intereson Sali Berisha në PD, mbasi fiton çdo palë zgjedhje duke e përdorur si “lugat”.
Damkosja nga SHBA, si “non grata” me 4 akuza të rënda dhe përdorimi nga Edi Rama, si “aset” i fitoreve të tij prej 10 vitesh, janë dy arsyet që kanë bërë bashkë, zërat për largimin e Berishës.
Askush nuk po i thotë Saliut, të mos merret me politikë me çfarë partie të dojë, por si i përjashtuar nga PD, të mos flasë më në emër të saj dhe të mos vazhdojë më me përçarjen e demokratëve, mbasi shkatërrimi ka si autor vetëm atë.
Ata që sot drejtojnë PD-në dhe kanë marrë nismën për ri-startimin e saj, po kërkojnë bashkimin dhe ri formatimin e partisë me lidership të ri në mendësi, pa “non grata” Sali Berishën, pa “langoj” anti-SHBA që i shkojnë mbrapa, pa grupe që partinë e duan për qëllimet e tyre dhe pa “llumin” e 30 viteve në krye të saj.
Natyrisht që Saliu ka të tillë që i shkojnë mbrapa, me shpresën se ai do ri-bëhet kryetar i PD e kryeministër dhe nuk i ndalon askush të ëndërrojnë, ndërsa demokratë edhe brenda Foltores, po kërkojnë një start të ri pa vjetërsirën Sali Berisha./Pamfleti
Lini një Përgjigje