53-vjeçari Sokol Toma u godit brutalisht në zonën e Sanxhakut.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në qarkun e Lezhës, ku ish-kryetari i Partisë Demokratike në njësinë administrative të Dajçit, në Zadrimë, është dhunuar brutalisht nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas informacioneve paraprake, 53-vjeçari Sokol Toma është sulmuar rreth orës 22:00 në autostradën Mamurras–Laç, në zonën e Sanxhakut.
Burime bëjnë me dije se autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë të maskuar, e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup.
Pas ngjarjes, Toma është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim më të specializuar.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura motivet e sulmit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Lini një Përgjigje