Vrasja e Martin Bardhit dyshohet të jetë vijimësi e një kalvari sherresh që kanë shkaktuar shumë viktima në Mirditë.
Përplasja e fundit mes fiseve ishte tentativa e vetë viktimës Bardhi bashkë me djalin, Enrikun, për të eliminuar Sajmir Reçin, nip i Kastriot Reçit. Ditën e sotme mësohet se policia do marrë në pyetje anëtarë të fisit Reçi. Bardhi u vra dje në lokalin e tij.
Martin Bardhi, humbi jetën si pasojë e të shtënave me armë në qendër të Rrëshenit këtë të martë, ai u vra para lokalit në pronësi të tij.
Dyshimet e para janë që ngjarja të ketë ndodhur për shkaqe hakmarrje, kjo për shkak të konflikteve mes fisit Bardhi dhe Reçi.
Hetuesit thanë se vëllai i Martin Bardhit, Pjetri ka qenë i përfshirë në një ngjarje shume kohë më parë. Në atë kohë ai ishte ushtarak ku dyshohet se ka vrarë një të fisit Reçi.
Bardhi sapo ishte liruar nga qelia e burgut. Ai ishte lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje pasi në muajin Mars u arrestua si një nga autorët e përfshirë në atentatin ndaj Saimir Reçit në Rrëshen.
E kjo ngjarje e 6 muajve më parë ka një të përbashkët me vrasjen e sotme: Datën e krimit, më 26 Mars u qëllua ndaj Saimir Reçit, ndërsa më 26 Shtator u vra Martin Bardhi.
Në lidhje me ngjarjen e disa muajve më parë janë në kërkim djali i Martin Bardhit, Erindi dhe një kushëri i tyre, 28 vjeç për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Kujtojmë se atëherë u qëllua ndaj makinës së blinduar të Reçit, ky i fundit humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një bordurë, por nuk u plagos.
Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i cili në vitin 2020 u ekzekutua me snajper në qendër të Rrëshenit.
Gjithçka ndodhi pasi Erind Bardhi fillimisht është konfliktuar me Saimir Reçin në qendër të qytetit të Rrëshenit për një vend parkimi dhe pas këtij momenti shkoi në banesë për të marrë armën.
Zanafilla e sagës së vrasjeve
Më 9 shtator 2016 nisi ngjarja e parë mes fiseve Reçi e Gjini në Rrëshen. Atë ditë u vra Saimir Jaku, ish-drejtor i linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE. Ai u qëllua për vdekje me kallash kur pinte kafe në lokal. Më 28 prill 2017 u vra në Romë të Italisë, Gasper Reçi, 43 vjeç. Sipas autoriteteve dyshohej se vrasja e Gasper Reçit të vinte si hakmarrje për ekzekutimin e Saimir Jakut.
Kreshnik Gjini, nipi i Saimir Jakut në vra më 6 shtator 2017 në komunën e Forestit të Belgjikë. Në sy të dy fëmijëve u ekzekutua më 13 gusht 2019 Armando Gjini, i njohur me emrin Tonin Gjini. Kastriot Reçi u ekzekutua me armë zjarri përpara lokalit të tij në qendër të Rrëshenit, teksa rihapi plagën e vjetër të hakmarrjes në Mirditë në fillim të 2020-ës.
Mbi urën e Nisharakut në Tiranë u tentua më 15 shtator 2020 eliminimi fizik i Preng Gjinit. Në makinën me të cilën udhëtonte i ishte vendosur një sasi tritoli. Kurse Anton Keli u ekzekutua më 15 dhjetor 2020 duke zbritur nga makina në Rrëshen. Pothuajse të gjitha vrasjet kanë ndodhur në qendrat e qyteteve dhe kur shënjestrat kanë qenë në kafene.
Lini një Përgjigje