Avokati i Popullit ka reaguar për portestën e PD dhe thotë se monitoroi tubimin e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë dhe ndërhyrjet e policisë gjatë saj, me fokus respektimin e të drejtave të njeriut dhe ligjshmërinë e veprimeve të kryera.
Gjatë verifikimeve në komisariatet e kryeqytetit dhe në Spitalin e Traumës, institucioni evidentoi 41 persona të shoqëruar, përfshirë 6 të mitur. Nga këta, autoritetet arrestuan 11 persona, ndërsa pjesa tjetër u lirua pas procedurave përkatëse.
Strukturat shëndetësore raportuan dy raste me dëmtime të rënda, konkretisht fraktura në zonën e kokës dhe të fytyrës. Të lënduarit vijojnë trajtimin në spital.
Avokati i Popullit deklaroi se ka regjistruar çdo rast të dyshuar për tejkalim kompetencash apo abuzim me pushtetin. Institucioni do t’i përmbledhë gjetjet në një raport të detajuar që do t’u dorëzohet organeve përgjegjëse për vlerësim dhe veprim të mëtejshëm ligjor.
Ndërkohë Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me personat e ndaluar gjatë incidenteve të regjistruar në protestën e opozitës. Policia njofton se janë arrestuar 18 persona ndërsa janë proceduar penalisht 28 të tjerë.
Sipas policisë protestuesit kanë kundërshtuar efektivët dhe kanë hedhur sende të forta në drejtim të tyre dhe të institucioneve. Në njoftim theksohet se protestuesit kanë hedhur edhe molotov të cilat janë gjetur edhe në çantat e të ndaluarve.
Policia thekson se mes të arrestuarve janë edhe tre të mitur. Mes të proceduarve është edhe deputeti, Klevis Balliu i cili akuzohet për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Lini një Përgjigje