Operacioni në Azerbajxhan përfshinte disa dhjetëra pjesëtarë të forcave speciale izraelite, personel të njësive elitare të kërkim-shpëtimit dhe agjentë të Mossadit.
Izraeli ka vendosur fshehurazi njësi elitare ushtarake dhe të inteligjencës në Azerbajxhan gjatë luftës me Iranin, si pjesë e një rrjeti pozicionesh të fshehta në Lindjen e Mesme që mbështetën operacionet kundër Teheranit, raportoi CNN, duke cituar katër burime të njohura me çështjen.
Sipas burimeve, forcat izraelite operuan nga disa lokacione në jug të Azerbajxhanit, pranë kufirit verior të Iranit dhe rreth 100 kilometra nga qyteti iranian i Tabrizit, i cili u godit nga Izraeli gjatë konfliktit.
Burimet thanë se njësitë e forcave speciale kryen misione për mbledhjen e inteligjencës dhe operacione me dronë, duke i ofruar Izraelit mundësi të zgjeruara për monitorimin e Iranit verior gjatë luftës.
CNN raportoi se vendosja në Azerbajxhan ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë pozicionesh të fshehta ushtarake që përfshinte gjithashtu Irakun, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Somalilandin. Fillimisht të konceptuara si pika emergjente për operacione shpëtimi, këto pozicione u zgjeruan për të përfshirë mbështetje ushtarake dhe aktivitete të inteligjencës.
Sipas burimeve, operacioni në Azerbajxhan përfshinte disa dhjetëra pjesëtarë të forcave speciale izraelite, personel të njësive elitare të kërkim-shpëtimit dhe agjentë të Mossadit.
Autoritetet e Azerbajxhanit i hodhën poshtë kategorikisht pretendimet. Ambasada e Azerbajxhanit në Shtetet e Bashkuara deklaroi për CNN se vendi "refuzon me vendosmëri pretendimet e pabaza për përdorimin e territorit të tij për operacione kundër vendeve të treta".
Pas publikimit të raportit, Agjencia e Zhvillimit të Medias në Azerbajxhan e cilësoi informacionin si përpjekje për të krijuar konfuzion në komunitetin ndërkombëtar, për të minuar stabilitetin rajonal dhe për të nxitur tensione.
Sipas raportit, Izraeli mbajti gjithashtu pozicione të fshehta në Somaliland, të cilat mund të shërbenin si pika mbështetëse për fluturimet me rreze të gjatë drejt Iranit. CNN thekson se Izraeli u bë në dhjetor vendi i parë që njohu zyrtarisht Somalilandin.
Burimet pohojnë se Izraeli përdori gjithashtu objekte të fshehta në Irak dhe vendosi sisteme të mbrojtjes ajrore, përfshirë Kupolën e Hekurt, në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë konfliktit.
Raporti vë në dukje se marrëdhëniet mes Izraelit dhe Azerbajxhanit janë forcuar prej vitesh përmes bashkëpunimit energjetik, ushtarak dhe të inteligjencës. Azerbajxhani furnizon Izraelin me një pjesë të konsiderueshme të naftës së tij, ndërsa Izraeli është një nga furnizuesit kryesorë të armëve të avancuara për Bakunë.
Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Joshua Kucera, tha për CNN se Azerbajxhani po përpiqet të konsolidojë rolin e tij si fuqi rajonale dhe të shërbejë si urë lidhëse mes Izraelit dhe vendeve të tjera të rajonit.
CNN bëri të ditur se ka kërkuar koment edhe nga Zyra e Kryeministrit izraelit dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, por nuk kishte marrë përgjigje në momentin e publikimit.
Lini një Përgjigje