TAGS-AT E JAVËS

Forum18 Nëntor 2024, 18:39

Ben Blushi: Pse janë shqetësuar ushtarët e “Gardës së Profetëve” nga libri im?

Shkruar nga Ben Blushi

Ben Blushi: Pse janë shqetësuar ushtarët e “Gardës

Këto ditë duke u marrë me librin tim të fundit Parajsa Artificiale, ushtarët e Gardës së Profetëve janë hedhur në sulm për të më bindur se ka vetëm një rrugë për në parajsë dhe ajo kalon nga vdekja.

Disa miq më çuan mesazhe gjatë intervistës në A2 CNN me gazetarin Andrea Danglli, çka nuk më ndodh shpesh.

Megjithëse i çliruar nga trysnia femërore e Euronews Albania, ku punonte kur e kam njohur, Andrea Danglli ishte pak i emocionuar gjatë intervistës me mua dhe mesa duket jo vetëm për fajin tim.

Meqë më bëri disa pyetje për Krishtin për Mohamedin dhe për Zotin, Andrea Dangllit i erdhën shumë kritika dhe komente nga grupe që mbrojnë profetët duke i kërkuar të lexojë disa nga komentet e tyre.

Ai nuk e bëri duke ruajtur etikën, por disa i kaloi në telefonin tim.

Ja njëri nga komentet : parajsat janë utopi skllavëruese. Njerëzimi i ka ëndërruar dhe provuar shpesh dhe ato kanë përfunduar keq. Shqipëria ende nuk e ka marrë veten nga parajsa pa Zot që iu premtua nga komunizmi.

Ose një tjetër : ideja e Blushit nuk është origjinale. Këtë lloj parajse pa Zot filloi ta promovojë Gjarpri në Kopshtin e Edenit. Nuk ka asgjë të re nën diell.

Ja dhe një tjetër: Ligësia njerëzore nuk hiqet pa operacion të zemrës dhe i vetmi që ka mundur ta realizojë këtë është Krishti. Ai mori të ligën e njeriut mbi vete dhe premton të banojë brenda zemrës që pranon ti dorëzohet atij. Edhe Blushi e di se vetëm Jezusi e ka zbutur njeriun. Parajsë pa Krishtin nuk ka.

Nuk është hera e parë që kuptoj se Garda e Profetëve, pra e atyre njerëzve që mbrojnë profetët nga njerëz si unë, është shumë e vëmendshme. Në një rast ata më kanë ftuar në një debat dhe aty kam thënë atë që mendoj.

Profetët nuk ka arsye të mbrohen sepse askush nuk i kërcënon. Ata janë pjesë e kulturës sonë dhe në kohën kur jetuan e kryen misionin e tyre duke predikuar të mirën kundër të keqes. Njerëzimi i ashpër në disa raste është zbutur nga mësimet e tyre, siç edhe është bërë edhe më i ashpër në disa raste të tjera.

Por për fat të keq Krishtërimi dhe Islami që njohim sot nuk janë ato që ka menduar as Jezui dhe as Mohamedi. Të dyja fetë ndryshuan dhe u pasuruan rrugës nga mijëra klerikë dhe shkolla të shumta fetare. Shtetet i përdorën profetët për dominimin tokësor dhe kontroll moral dhe në një kuptim i plagosën duke i futur në luftë me njëri-tjetrin.

Jezui i Nazaretit lindi dhe vdiq si hebre dhe as nuk ishte dhe as nuk donte të ishte i krishterë, ndërsa i Mohamedi ka qenë shumë më liberal se shumë nga ata që janë gati ta mbrojnë për gjëra që ai nuk i ka patur në mend dhe as i ka thënë ashtu siç pretendohet.

Por meqë Garda e Profetëve pretendon se ka monopolin e të vërtetës herë pas here bën vrima në letrat e librave të mi duke shqetësuar dhe gazetarë pasionantë si Andrea Danglli.

Këto ditë duke u marrë me librin tim të fundit Parajsa Artificiale, ushtarët e Gardës së Profetëve janë hedhur në sulm për të më bindur se ka vetëm një rrugë për në parajsë dhe ajo kalon nga vdekja.

Pra ata thonë se që të shkosh në parajsë duhet të vdesësh dhe kjo është një nga gjërat për të cilat nuk biem dakord.

Ndryshe nga ata, unë dua të shpresoj se ka edhe rrugë të tjera për të shkuar në Parajsë dhe ajo mund të shijohet pa vdekur.

Unë mendoj se në të ardhmen shoqëria njerëzore, mund të jetë një lloj parajse e çliruar nga gënjeshtra, nga mosmirënjohja, nga tortura, nga sëmundjet, nga puna fizike, nga luftërat dhe nga ndarjet fetare e kombëtare.

Gjithë njerëzit e botës do i përkasin një populli të bashkuar, një race dhe një kulture, një civilizimi që do flasë me një gjuhë dhe do jetë njëlloj i zhvilluar. Luftërat, mjerimi dhe fetë do jenë harruar dhe ndoshta do jenë zëvendësuar nga mirëqenia e përgjithshme.

Teknologjia inteligjente që do i mundi kufizimet e njeriut për të eksploruar mendjen dhe natyrën do krijojë aq shumë bollëk në planetin tonë dhe në planetët e tjerë që njerëzimi do popullojë shumë shpejt, sa mos ketë më arsye për të vrarë dhe për të ndarë.

Duke shkuar në planetet e tjerë, njerëzimi do shtohet dhe do gjejë aq shumë resurse natyrale saqë luftërat për toka, naftë, ujë dhe minerale në planetin Tokë do duken të kota.

Kjo është pak a shumë Parajsa për të cilën flas në librin Parajsa Artificiale.

Brezat që do vijnë do kenë mundësi ta jetojnë duke qeshur me të gjithë ata që sot besojnë se duhet të vdesësh për të shkuar në një vend më të bukur dhe më të jetueshëm që grekët e lashtë e quanin paradeisos, një park i mbyllur, që mua do më pëlqente ta përktheja si : aty ku ishim para Zotit.

Kur të vijë kjo kohë, Garda e Profetëve do duket si Garda Zvicerane që mbron sot Vatikanin. Njerëzit e ndjekin me kuriozitet për të bërë fotografi sepse ajo është një objekt ekzotik të cilës rrobat me ngjyra i vlejnë më shumë se armët.

Lini një Përgjigje