Forum28 Shkurt 2023, 18:58

Berisha anti-amerikan ‘race’, nga Geixh e CIA, te Soros e FBI; ‘armiqtë’ në 30 vite

Shkruar nga Jakin Marena

Berisha anti-amerikan ‘race’, nga Geixh e CIA, te Soros e FBI;

Pra Berisha, njësoj si 27 vite më parë, akuzon Amerikën se ia kanë bërë me të pabesë, akuzon lobuesit shtetas amerikanë se kanë tërhequr për ‘hunde’ qeverinë amerikane, atëherë përmes Geixh për llogari të Fatos Nanos, tani përmes Sorosit për llogari të Ramës.

Sali Berisha nuk u bë anti-amerikan në mesin e vitit 2021 kur u shpall person ‘non grata’ dhe më pas u përjashtua dhe nga grupi parlamentar e vetë PD-ja nga ‘biri’ i tij politik Lulzim Basha.

Kush mendon kështu, ose nuk e ka jetuar ecurinë 32 vjeçare politike të Berishës ose s’ka lexuar asgjë mbi sjelljen e ish kreut të PD gjatë tërë këtyre viteve në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe në veçanti me aleatin dhe mikun tonë më të madh, SHBA-të.

E themi këtë se po lexojmë e dëgjojmë çdo ditë ‘thagma’ të tilla, sipas të cilave Sali Berisha etiketohet si anti-amerikan i vonë, dhe pala mbështetëse e tij e justifikon me faktin se ndaj tij u lobua në mënyrë të padrejtë për ta shpallur person ‘non grata’ familjarisht për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shtantazhim e shkatërrim të drejtësisë.

Dhe mbështetësit e tij, duke përdorur të njejtin fjalor si të Berishës, pikësëpari kryqëzojnë armikun në dizpozicion Edi Rama, i cili sipas tyree paska futur në ‘dorë’ qeverinë amerikane, dhe tashmë së voni dhe shërbimin e kundërzbulimit amerikan FBI, thjeshtë dhe vetëm për të goditur kundërshtarin politik Sali Berisha. Për ta shpallur person ‘non grata’, duke i vënë njollën e rëndë të turpit tashmë në pleqërinë e thellë të tij, si hajdut funksional.

Pra familjarisht hajdut, dhe kjo për një politikan në ‘metrat’ e fundit te jetës biologjikë është vrastare, pasi nuk ka as kohën e nevojshme fizike për të rikuperuar politikisht. Për më tepër që kur të shpall ‘non grata’ Amerika, por dhe Britania e me sa duken gjasat dhe BE pas ndryshimit të ligjit, nuk gjen derman më. Pasi janë të ndëshkuar dhe pasardhësit, dy fëmijët e Berishës, të cilët nuk e kapërcejnë Atlantikun e as La Manshin. E kanë të ndaluar. Për shkak të babës dhe vetes!

Ndaj Berisha nuk rri i qetë, duke dalë 3-4 herë në ditë në media dhe në takime me strukturat e “Rithemelimit” për të promovuar ‘revolucionin’ e tij, për të marrë sërish në zotërim vulën dhe logon e PD, duke ushtruar presion ndaj gjykatës së Apelit, që të zhbëjë ankimimin e Alibeajt.

Pra duke shantazhuar drejtësinë me akuza të drejtëpërdrejta dhe publike si dhe përmes protestës së paralajmëruar më 3 mars, ditën e vendimit të Apelit për vulën dhe logon e PD. Pikërisht përmes shantazhit ndaj Gjykatës, ‘mot a mot’ sipas motivimit që DASH i bëri vendimit të shpalljes ‘non grata’ të Berishës, pika e tretë e këtij motivimi, që është presioni ndaj drejtësisë.

Dhe pastaj pyet Berisha dhe mbështetësit e tij se përse është shpallur ‘non grata’ lideri historik, ky ‘ëngjëll’ që sa herë hap gojën, vërteton një më një të gjitha akuzat që ka mbi kurriz.

Dhe që të kthehemi tek ‘zanafilla’ e anti-amerikanizmit të Berishës, mund të themi, se përpos faktit se ka qënë sëpaku 25 vite si anti-amerikan i kulluar si anëtar e sekretar i PPSH, ishte e përcaktuar në linjën e partisë së Enver Hoxhës në atë kohë dhe s’kishte nga t’ia mbante, tjetër se bën nganjëherë si ‘trim’ dhe thotë se ka qënë disident, Berisha si anti-amerikan ‘race’ është shfaqur gjatë dhe pas zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996, të cilat i vodhi dhe i grabiti me forcë ato, duke dëbuar komisionerët e opozitës nga komisionet zgjedhore e duke numëruar vetë votat e tjetërsuara. Çka arriti në disa zona elektorale shifra të ‘papara’ fitoreje, si në Kuçovë dhe Cërrik me mbi 130 për qind. Arithmetika e njerëzve të Berishës kjo, dhe në zonat bastion të PS madje.

Që atëherë u përplas me amerikanët, duke refuzuar kërkesën e ish presidentit Bush (Plaku) që gati iu lut Berishës që të rikthente në votim 40 zona elektorale dhe mos ta nxirrte opozitën e atëhershme socialiste me 10 deputetë. Berisha nuk pranoi, donte një mandat të dytë presidencial, të cilin e mori gati 6 muaj më vonë, por që nuk e gëzoi, sepse shteti ra dhe ai dha dorëheqjen.

Anti-amerikanizmi i Berishës u përshfaq që në momentin kur qeveria amerikane jo vetëm që nuk njohu zgjedhjet e 26 majit 1996, por mesazhi i saj ishte i qartë teksa kërkonte që të bëheshin hetime për këto zgjedhje të dhunuara në Shqipëri. Berisha e humbi mbështetjen pa limit të amerikanëve, ndërkohë që doli nga ‘binarët’ herë duke sulmuar ambasadoren Mariza Lino në Shqipëri, dhe mbi të gjitha duke akuzuar “lobuesit grekë” me në krye Nikolas Geixh se po nxisin SHBA-në kundër qeverisë së PD. Duke arritur deri tek akuza ndaj Uashingtonit, përmes deklaratave të tipit “Amerika në dorë të këtyre lobuesve, është armike e shqiptarëve”.

Pra Berisha dhe mbështetësit e tij që në vitin 1996 ia vunë fajin lobit grek në SHBA, të cilët sipas tij lobuan pranë qeverisë amerikane, superfuqisë së vetme në botë, për të nxirë Shqipërinë dhe për të rrëzuar “qeverinë demokratike” të demokratëve.

Këto akuza dhe këta armiq u përsëritën një vit më vonë, kur ranë firmat mashtruese piramidale, e bashkë me ato ra dhe shteti për tre ditë, duke lënë në duart e popullsisë miliona e miliona armë e municione, pas hapjes së depove të ushtrisë. Por dhe mijëra të vdekur, që vijojnë të shtohen ditë pas dite, pasi vijojnë të jenë këto armë pa leje në shtëpitë e shqiptarëve.

Dhe këtu u sulmua lobi grek në SHBA, duke futur në ‘listë’ dhe shërbimin sekret grek e atë amerikan. Po po. Në atë kohë u akuzua dhe CIA amerikane. E tha Gazidede, ish kreu famëkeq i SHIK-ut shqiptar mu në mes të Parlamentit, në atë kohë tragjike të marsit të vitit 1997, teksa me statusin e komanndatit të përgjithshëm gjendjes së jashtëzakonshme, ‘gjenerali’ raportoi mbi rrethimin e ‘armiqve’ të Shqipërisë, që kërkonin të rrëzonin qeverinë e PD si dhe të shkëpusnin Jugun e vendit për t’ia dhënë Greqisë.

Berisha i kishte piketuar ‘armiqtë’ në SHBA në atë kohë. Ata ishin lobuesit grekë në Uashington me në krye Geixh që nxisnin Uashingtonin kundër qeverisë së PD, CIA-n amerikane të cilën e akuzonte se u involvua sipas tij në mbështetje të grupeve të armatosura të revoltave anti-fajde në jug të vendit, për të rrëzuar qeverinë e PD e që në bashkëpunim me qeverinë dhe në veçanti shërbimin sekret grek, donin t’i jepnin Greqisë, Jugun e Shqipërisë.

Historia e Berishës me ambasadorët amerikanë dhe qeverinë amerikane pas kësaj periudhe dihet. Gjithnjë në konflikt të fortë me të gjithë ambasadorët, ndërkohë që me Nikolasi Geixh pas tetë vitesh armiqësi, u pajtua me të, e priti dhe përcolli në zyrën e tij, teksa përgatitej për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e 2005. Por sërish Berisha e gjente rrugën e së ‘vërtetës’ për t’u konfliktuar me të gjithë ambasadorët dhe qeverinë amerikane. Të paktën shqiptarët i mbajnë mend përplasjet me këta ambasadorët e fundit, nga Uidhers, tek Arvizu, Donald Lu dhe ambasadoren aktuale Yuri Kim. Kjo e fundit nuk e qas fare, nuk jep madje as dorën.

Dhe ‘kulmi’ mbërriti në mesin e vitit 2021, kur qeveria amerikane e lodhur nga zullumet e Sali Berishës që jo vetëm nuk iku nga drejtimi i PD pas humbjes më 2013, por qëndroi në prapaskenë dhe luante të gjitha fijet, duke komanduar kreun zyrtar të kësaj partie, Lulzim Basha, në të gjithë vendimet politike që ndërmori sidomos me fillimin e vitit 2017 dhe më pas, i detyrua të reagojë.

Nuk qëndroi rehat Berisha, duke mbërritur deri në përfitimin e financimeve nga Moska për të destabilizuar situatën në Shqipëri, përmes tensionimit të situatës e rrëzimit të qeverisë legjitime të socialistëve të zgjedhur me votën e shqiptarëve. E ka thënë CIA amerikane këtë, në raportin e saj për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, ka dhe një të dënuar në SHBA për këtë lobim të PD shqiptare me para ruse në Uashington. Bëhet fjalë për Nick Muzin.

Dhe që të mbahemi tek ngjashmëritë, nëse në vitin 1996 të ‘involvuar’ në rrëzimin e qeverisë së PD 6 muaj më vonë, për Berishën ishin lobuesit grekë, CIA amerikane dhe shërbimi sekret grek, për shpalljen ‘non grata’ familjarisht nga SHBA, Berisha në krye të herës akuzoi ‘armikun’ Xhorxh Soros. I cili sipas akuzave të Berishës, për llogari të Ramës, ndikoi te qeveria e SHBA për ta shpallur ‘non grata’ dhe për të ‘shkatërruar PD dhe opozitën” po sipas liderit historik të kësaj partie.

E përsëriste çdo ditë të Zotit këtë akuzë dhe këtë emër, deri në momentin kur në “skenë’ doli zyrtari i lartë i FBI-së Charles McGonigal. I cili ka takuar disa herë kryeministrin Edi Rama, nën shoqërinë e bashkëpunëtorëve shtetas amerikanë të tij, përfshirë dhe Agron Nezën. Këta i kanë takuar dhe njerëz afër Berishës, por dhe Ilir Meta kur ishte President.

Këtu Berisha e ktheu ‘të njëjtën pllakë’ në anën tjetër, ku njëra anë kishte akuzat kundër Sorosit si lobues për llogari të Ramës për ta shpallur atë familjarisht ‘non grata’ në SHBA dhe për të bërë publike ‘thithjen’ e financimeve ruse për të rrëzuar qeverinë shqiptare. Ndërsa në anën tjetër të “pllakës’ janë akuzat e reja të Berishës kundër zyrtarit të lartë të FBI, përmes të cilit Rama, sipas tij ‘armiku më i madh i SHBA dhe Shqipërisë’, kishte futur në “dorë” qeverinë amerikane, duke e detyruar që të firmosë shpalljen ‘non grata’ të tij, përfshirjen në marrjen e financimeve ruse për të destabilizuar vendin. Akuzon dhe ambasadoren Kim në këtë skenar Berisha.

Ndonëse nuk ka asgjë në ngarkim të Ramës as për korrupsion dhe as për elementë të tjerë që përmend Berisha, duke qënë jashtë dosjes së hetimit, lideri historik nuk ndalet në akuza, duke kërkuar hetim parlamentar në Shqipëri, por duke kërkuar hetim dhe nga Kongresi amerikan.

I ka prishur punë pak vendimi i prokurorisë amerikane, që kërkon mos-përdorim politik të këtij gjyqi, tërësisht amerikan pa shqiptarë brenda, dhe mbylljen e informacioneve për këtë gjyq. Në SHBA ka zbatim ky vendim i prokurorisë amerikane, por ‘këmbora bie për ata që kanë veshë’ dhe duhet kuptuar dhe në Shqipëri, se nuk duhen cënuar interesat amerikane. Dihen pasojat dhe kjo është një ‘kujtesë’ dhe për atë seancën e pyetjeve me debat me Ramën në Kuvend më 2 mars.

Pra Berisha, njësoj si 27 vite më parë, akuzon Amerikën se ia kanë bërë me të pabesë, akuzon lobuesit shtetas amerikanë se kanë tërhequr për ‘hunde’ qeverinë amerikane, atëherë përmes Geixh për llogari të Fatos Nanos, tani përmes Sorosit për llogari të Ramës. Akuzon shërbimet inteligjente amerikane, atëherë CIA-n amerikane se në bashkëpunim me shërbimet greke kontribuan për rrëzimin e qeverisë së PD dhe “për pak shkëputën jugun e vendit për t’ia dhënë Greqisë”, ndërsa sot kanë gjetur FBI-në amerikane, që për llogari të Ramës sipas tij, i paskan bërë gjëmën Berishës duke tërhequr për ‘hunde’ po qeverinë amerikane dhe shpallur ‘non grata’ familjarisht liderin historik të PD, që po ‘shuhet’ duke luftuar për të mbojtur nderin dhe dinjitetin jo vetëm të vetes, jo vetëm të PD e Shqipërisë por dhe të vetë SHBA, nga ‘armiq’ të tillë si Edi Rama, McGonigal, Angron Neza e të tjerë që i kujtohen Berishës kur flet.

Teksa përmendim këto fakte të thjeshta, gjithkush mund të bindet se Sali Berisha nuk u bë anti-amerikan i tërbuar në momentin kur e shpallën ‘non grata’ familjarisht. Ai ka qënë që në krye të herës anti-amerikan, por sëpaku që në fund të majit 1996 kur SHBA u pendua thellë se kishte mbështetur pa limite një ish komunist si Sali Berisha që shkatërroi institucionin e zgjedhjeve, institucionin e reformës ekonomike përmes piramidave dhe demokracinë në Shqipëri. Madje “flirtoi” me rusët, serbët, arabët apo në mënyrë të përmbledhur me ‘pagatorët’ që i ofruan para.

Me sa shihet e ardhmja e tij, arrihet lehtë përfundimi se jo vetëm që Berisha do të shkojë tek i Plotfuqishmi si një anti-amerikan ‘race’, por bashkë me të, do shkojë dhe PD e opozita shqiptare. Drejt shuarjes themi, pasi vendimi i Apelit s’besojmë se mbyllet për disa vite, do lëvizë si ‘top’ nëpër këmbët e opozitës. Megjithëse Berishës as që i hyn në punë vula e logo e PD.

Atij i duhet thjeshtë destabilitet dhe rrëmujë, për të justifikuar humbjen e opozitës, por dhe për të qënë si shantazhues funksional i drejtësisë, për hallet e tij personale që ka, si pasojë e zullumeve të shumta në këto 32 vite.

Ndaj Berisha duhet marrë ‘lehtë’, por dhe si një politikan që ka për publikun vetëm një ‘kasetë’ filmi, atë që ka përdorur tërë këto vite. Thjeshtë ka zëvendësuar disa emra, për ta paraqitur para mbështetësve të tij si ‘film’ të ri. Halli është te opozita shqiptare, se si të bëhet alternativë.

berisha anti-amerikan