Forum15 Mars 2023, 19:53

‘Hilet’ e Berishës dhe Bashës me dorëheqjet, si e ‘vranë’ dhe zhbënë PD

Shkruar nga Jakin Marena

‘Hilet’ e Berishës dhe Bashës me dorëheqjet, si e

Basha e kreu me ‘nder’ këtë detyrë deri sa erdhi shtatori 2021, kur i ndodhur përballë presionit ndërkombëtar e dëshirës për të qeverisur vetë partinë, e përjashtoi nga grupi parlamentar. Pjesa tjetër e historisë dihet. Ndërsa Berisha, meqë e kishte drejtuar PD për 9 vite në prapaskenë, në momentin më të parë u riktheu për të marrë PD-në, por që aktualisht është në krye të lëvizjes “Rithemelimi”, grupimit më të madh në këtë parti.

Demokratët janë praktikisht pa lider partie. E ndarë në dy pjesë, Partia Demokratike, në kufijtë e mbijetesës së saj politike, është në afate skadencës për të realizuar dhe gjënë më minimale për një parti normale, regjistrimin dhe hyrjen në zgjedhje.

“Rithemelimi” i Berishës s’ka asnjë shans që të regjistrohet normalisht për 14 majin, çka është i detyruar t’i drejtohet për një ‘strehë’ Ilir Metës, apo për koalicion Nard Ndokës dhe Vangjel Dules. Ndërsa PD e Alibeajt po hedh vickla, duke kontribuar fort për të qenë jashtë këtyre zgjedhjeve, nëse i realizohet skenari ‘galant’ i bojkotit të 14 majit me ‘duart’ e kreut të KQZ Celibashi dhe KAS, thjeshtë dhe vetëm për një pengesa teknike.

Nuk i ka faj askush në këtë planet, përpos Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, të cilët e katandisën partinë më të madhe opozitare, me një jetë politike mbi 32 vjeçare, në një situatë të tillë amorfe dhe parti pa identitet dhe pa asnjë pretendim për të qenë alternativë qeverisëse në të ardhmen.

PD është një parti, ku pjesa zyrtare ka një nënkryetar si Enkelejd Alibeaj që me ‘prokurë’ të lëshuar nga kryetari i dorëhequr Lulzim Basha luan dhe rolin e kryetarit, madje sikurse e ka pohuar dhe vetë me një krenari të frikshme se ‘ndjehet kryetar’, ndonëse nuk është votuar në asnjë forum drejtues, madje nuk është i regjistruar askund si i tillë.

S’përjashtohet mundësia që dhe sekretaria e forumit më të lartë për periudhën midis dy Kuvendeve, Këshilli Kombëtar të mos ketë sigluar asnjë rresht se Alibeaj është kryetar. Ndërsa në asnjë prej institucioneve të shtetit shqiptar Alibeaj nuk figuron si drejtues i PD.

Në Gjykatën e Tiranës figuron kryetar i PD Lulzim Basha, partia është e regjistruar në emër të tij, gjë që ka ndodhur në 10 vitet e fundit. Pavarësisht se është “ngrirë e shkrirë” disa herë, pas secilës betejë elektorale të humbur në këto 9 vite, të gjitha me një fjalë. Pavarësisht se ka dhënë dorëheqjen përmbi një vit më parë, dhe askush nga PD, janë juristë si sekretari i Përgjithshëm i pjesës zyrtare të kësaj partie Gazment Bardhi, ashtu dhe Alibeaj që ndjehet kryetar, nuk kanë dërguar një copë letër në Gjykatën e Faktit në Tiranë për të treguar se është bërë ‘rokada’, sado fiktive, e marrjes me ‘prokurë’ të drejtimit të PD.

Madje nuk u tundën as nga fakti se kishin dhe Berishën nëpër këmbë, i cili ishte rikthyer në politikën aktive pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA dhe sidomos pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD dhe më pas nga vetë partia. Ku ndërmori zhvillimin e foltoreve, bëri dy Kuvende Kombëtare, shkarkoi Bashën dhe tërë kryesinë e Këshillin Kombëtar, kundërshtarë të tij, si dhe u vetëzgjodh kryetar i “Rithemelimit”. Me kutin e tij është dhe kryetar i PD dhe për këtë tundi një vendim të gjyqtarit Agron Zhukri që i rikthente vulën.

Pas një tentative të dhunshme për pushtimin e selisë së PD, pas vendimit të Zhukrit e pushtoi ‘paqësisht’, seli që e mban dhe ditën e sotme, pavarësisht se gjykata e Apelit e zhbëri vendimin e Zhukrit, duke e rikthyer situatën në pikën zero, për ta filluar nga e para.

Pra as rreziku që vinte nga Berisha nuk e involvoi lidershipin e PD zyrtare që ta zëvendësonte emrin e Bashës me të Alibeajt në gjykatë dhe shkresat të dilnin në emrin e tij për çdo rast nevoje, e mbi të gjitha për regjistrimin në zgjedhje. Le më të bënin ndonjë Kuvend zgjedhor apo zgjedhje të kryetarit post-Basha sipas “një anëtar një votë’, veprim që kërkon energji, përkushtim gjë të cilën Alibeaj dhe ata që e pasojnë nuk e kanë as në vlerën minimale.

Pikërisht ky kaos i ka sjellë në këtë situatë aspak të lehtë të këtyre ditëve, kur kreu i KQZ Ilirian Celibashi, njëherë me vendim të ndërmjetëm dhe herën e fundit me vendim tamam, nuk e regjistroi PD zyrtare për zgjedhjet vendore të 14 majit. Thjeshtë dhe vetëm për shkak se duhej firma e Bashës, që figuron kryetar i PD në letrat që janë në gjykatë, të cilën Alibeaj e refuzon.

Ndoshta ka të drejtë pasi Basha është dorëhequr ka një vit, por janë artificial burokratike që ata nuk kanë kryer në Gjykatën e Faktit, ato që kanë sjellë këto probleme, në dukje të tej kalueshme, por që Celibashi i ka parë me ‘lupë’.

Aq më tepër që vetë Celibashi, pavarësisht kalkulimeve të argumenteve dhe arsyetimeve të tij, “zbuloi’ një frazë që është keqkuptuar apo që ka rezultuar si e vërtetë se në perceptimin e tij është Sali Berisha kryetar real i PD. Në fakt zotëron shumicën e anëtarësisë së PD, por ndonëse Celibashi mund ta kalonte në heshtje këtë gjë, sikurse e kaloi mungesën e firmës së Bashës në regjistrimin e komisionarëve të PD, të njëjtin veprim mund të bënte dhe për regjistrimin e vetë partisë për 14 majin. Zgjodhi të bënte skrupullin, që e parë veçmas deklaratës për Berishën, nuk mund të atakohet sëpaku politikisht. Ka respektuar ligjin dhe pikë, dhe për një dokument ordiner, që kërkonte firmën e kryetarit që figuron në gjykatë.

Vendimi është goditur në KAS nga ana e lidershipit zyrtar të PD, dhe deri pasnesër pas zgjedhjes të relatorit, ky organizëm duhet të vendosë nëse PD zyrtare do të futet në zgjedhje apo jo më 14 maj. Ka shumë interpretime në këtë rast, por gjasat janë që KAS ta vendosë regjistrimin e PD si subjekt politik në zgjedhje. Përkundër dhe dëshirës së lidershipit zyrtar të PD, që sipas zërave nuk ka as dëshirën më të vogël për të hyrë në garën elektorale të 14 majit. Përndryshe për herë të parë në historinë politike të post-komunizmit, do të zhvilloheshin zgjedhje pa siglën e PD në fletën e votimit. Dhe ky është me të vërtetë një kiamet.

PD e drejtuar nga Alibeaj e di se s’ka mbështetje, ndoshta mbetet për t’u parë e do ndjeheshim mirë po të rezultojnë se ne kemi gabuar. Por me sa thuhet nga vetë ata, PD e Alibeajt nuk ka as fuqinë për të plotësuar numrat për kandidatë për kryetarë bashkie, për këshilltarë bashkiakë e deri kandidatë për anëtarë të komisioneve zgjedhore të të gjitha niveleve. Jo më të marrë vota, për të fituar ndonjë bashki.

Por dhe nëse do të regjistrohej nga KAS në zgjedhje, në fletën e votimit të 14 majit për pushtetin vendor, krahas siglës së PD do vendosej dhe emri i kryetarit. Dhe kryetar me letra, pavarësisht se është dorëhequr, është Lulzim Basha.

Dikush mund të thotë “paç fatin e … Bashës”, pasi dhe pas një viti që ka ikur nga drejtimi i partisë, figuron si lider i saj. Dikush mund ta interpretoje me argumentin se Basha ka qenë aty, në prapaskenë e ka luajtur rolin e kryetarit të PD, ndonëse si i kamufluar. Të paktën kjo vërtetohet zyrtarisht, pasi s’është bërë asnjë hap për zëvendësimin e tij në Gjykatë. Thjeshtë me një shkresë të tij ai ka dhënë me ‘prokurë’ drejtimin e PD. Dhe atë e ka dhënë në mënyrën më të keqe të mundshme, sa dhe për një dokument të rëndomtë kërkohet firma e tij. Pra, pas ‘vdekjes’ politike, Basha do të duhet të firmosë në dokumente. ‘Litari jashtë’ me një fjalë.

Praktikisht Basha ka qenë aty, drejtuesi real i pjesës zyrtare të PD. Ka qenë një tërheqje taktike e tij, si ato të modelit ‘ngriva e shkriva’ pas të gjitha humbjeve elektorale përballë Ramës. Dhe nuk është se bëhet për herë të parë në PD, ka mësuar shumë nga ‘babai’ i tij politik, ‘ustai’ i kësaj pune. Sali Berisha është simboli i dorëheqjeve fiktive nga drejtimi i PD, dhe i drejtimit të kësaj partie në prapaskenë. E ka për pasion apo për hall politik këtë punë, tashmë të gjithë e dinë të vërtetën. Berisha e ka dashur dhe e do PD për hallin e tij personal, për ta pasur si mburojë përballë drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Berisha ka dhënë shembuj se e sundon PD në prapaskenë. E bëri më 1992 kur u zgjodh President i Republikës, teksa ‘zgjodhi’ Eduard Selamin kryetar të PD. Në momentin kur Selami “gaboi” pasi filloi të ndjehej kryetar i PD, Berisha e hoqi me dhunë duke ‘zgjedhur’ Tritan Shehun në krye të PD, i cili ia dorëzoi liderit historik pas largimit nga Presidenca, në shtator të vitit 1997.

Një skemë të tillë Berisha e aplikoi dhe më 2013, teksa dha dorëheqjen që përloti tërë auditorin që e dëgjonte pas humbjes së thellë përballë Ramës në zgjedhjet parlamentare. Berisha ‘zgjodhi’ në krye të PD ‘birin’ e tij politik Basha, ‘frerët’ e të cilit i mbante vetë në dorë në zyrën e tij private përballë RTSH, për të sunduar PD-në në prapaskenë. Ndaj e ndihmoi përballë Sokol Olldashit të ndjerë, në garën për kreun e PD, për ta pasur Bashën si kooperuare mbrojtëse kur t’ia lypte nevoja.

Basha e kreu me ‘nder’ këtë detyrë deri sa erdhi shtatori 2021, kur i ndodhur përballë presionit ndërkombëtar e dëshirës për të qeverisur vetë partinë, e përjashtoi nga grupi parlamentar. Pjesa tjetër e historisë dihet. Ndërsa Berisha, meqë e kishte drejtuar PD për 9 vite në prapaskenë, në momentin më të parë u riktheu për të marrë PD-në, por që aktualisht është në krye të lëvizjes “Rithemelimi”, grupimit më të madh në këtë parti.

Ndaj askush mos të habitet me faktin se Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje por nuk ka ikur nga kryetar i PD. Ka mësuar nga “babai’ i tij politik Sali Berisha, si ‘biri’ i tij politik më i devotshëm. Stafeta thjeshtë dhe vetëm ka ndryshuar duar, nga ‘babai’ te i ‘biri’. Madje ia ka kaluar dhe vetë Berishës në këtë rast. Fundja Basha vetëm shkollën politike të Berishës di, ai e katapultoi në majat më të larta të kupolës së qeverisjes së PD dhe të vetë partisë më të madhe opozitare.

Tashmë Basha pret humbjen e Berishës, i cili si me siglën e PL-së të Metës ku shpreson të regjistroje kandidatët, si me koalicionin me Dulen e Ndokën, nëse pranojnë kuptohet, ku po negocion për të regjistruar “Rithemelimin” në zgjedhje, rezultatin që do të korrë më 14 maj do ta ketë ‘dramë’. Dhe të të vënë kushte dhe PDK e PBDNJ është fundi i botës.

Ndonëse rezultati humbës i intereson, për të nisur më pas akuzat ndaj SHBA, Ramës dhe tërë botës se i kanë grabitur fitoren në zgjedhje. Këto do ai. Këto do dhe Basha, për t’u rikthyer më 15 maj, si një i ‘domosdoshëm’ në PD-në zyrtare. Fundja vjen pa lodhje. Emrin e ka në gjykatë si kryetar, Kuvend Kombëtar nuk ka bërë, dhe as ka ndërmend të bëjë. Thjeshtë shkon në zyrën private në ‘Bllok’ ku është akomoduar PD zyrtare pasi Berisha nuk shkulet nga selia buzë Lanës.

Problemi qëndron se kostoja që po paguan PD dhe opozita nga këto marifete dorëheqjesh dhe mos-largimesh kryetarësh partie. Bëhet njëherë, dy herë, por pafundësisht sikur nuk shkon. Praktikisht PD po bën rrotullimin rreth vetes, por për fat të keq “rrezja’ qarkore e këtij rrotullimi, vetëm sa po zvogëlohet, dhe është afruar shumë afër qendrës, apo “hurit’ sipas frazeologjisë popullore për të përcaktuar qendrën e rrethit. Pra PD po tkurret deri në shuarje.

jakin marena