TAGS-AT E JAVËS

Forum28 Nëntor 2025, 11:35

Mos më harro Shqipëria ime… Unë jam e jotja!

Shkruar nga M.Ibrahimi

Mos më harro Shqipëria ime… Unë jam e jotja!

Këtu ku ecin akoma hijet e Skënderbeut…Këtu ku Ismail Qemali tund kokën, duke menduar se flamurin e ngriti lart që ne ta mbanim, jo ta përdornim për foto në inaugurime që s’përfundojnë kurrë…E ndërsa Naimi shkruante për dritën e Shqipërisë në errësirë, sot ndonjë ministër në ndonjë zyrë kërkon të luajë me “faturat” e popullit sikur të ishte sudoku.

Para se të kishte kufij, shtete, flamuj e emra, këtu kishte mal, det…Ishte popull i egër, i bukur, që e quajti veten Ilir, që u bë zanafilla e çdo zemre që sot rreh shqip!!! Kombit shqiptar i paraprin një mijëvjeçar i tërë, i gdhendur në gurët e qyteteve ilire, në mbishkrime, në beteja të humbura e të fituara…

Sot shoh një copë dhe ku mali i Tomorrit rri i ngrysur, e ku Valbona rrjedh sikur të ketë marrë përsipër të lajë mëkatet që ne nuk i lajme dot vetë, ku Butrinti flet latinisht dhe pellazgjisht në të njëjtën frymë, ku i gjithë veriu rri i heshtur, me borën si mantel dhe malet stoike. Aty ku fjala “nder” është më e rëndë se një kod civil i tërë. Ku liqeni i Ohrit tallet me ne, “Unë jam këtu prej mijëra vitesh, po ju akoma debatoni kujt i përkas.”

Këtu ku ecin akoma hijet e Skënderbeut…Këtu ku Ismail Qemali tund kokën, duke menduar se flamurin e ngriti lart që ne ta mbanim, jo ta përdornim për foto në inaugurime që s’përfundojnë kurrë…E ndërsa Naimi shkruante për dritën e Shqipërisë në errësirë, sot ndonjë ministër në ndonjë zyrë kërkon të luajë me “faturat” e popullit sikur të ishte sudoku.

Mic Sokoli, Isa Boletini, Vojo Kushi,  Çerçiz Topulli, Elez Isufi, Shote Galica, Vehbi Dibra, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Tringa Smajli, e të gjithë me rradhë, po të na shihnin tani, do pyesnin: “Për këtë u flijuam të gjithë ne?” Sepse trimëria sot interpretohet ndryshe…Sot të jesh trim do të thotë të kalosh “rrugën” pa u futur në “gropë”, të tentosh të kuptosh reformën në drejtësi pa pasur doktoraturë në metafizikë. Më duket sikur kemi një tabelë që të gjithë e shohim, por nuk është e shkruar, “Mirë se vini në Shqipëri, në vendin ku tragjeditë nuk vijnë me paralajmërim, ato jetojnë këtu me qira të përhershme, ose si investitor strategjik”.

Në vendin tim, qeveria nuk bie kurrë, duket si një pallat me tulla Lego-sh, duket bukur nga larg, por po e preke pak, shpërbëhen menjëherë. Drejtësia ecën si trenat e viteve “yhyyy…” ngadalë, me zhurmë, dhe gjithmonë mbërrin vonë. Nxënësit mësojnë për Rilindjen e 1880-ës, ndërsa shpresojnë të mos testohen për Rilindjen e sotme, se aty nuk ka tekst zyrtar, vetëm improvizim. Arsimi në Shqipëri ka prej kohësh një tjetër mision “fisnik”, të edukojë rininë si të bëjë valixhet sa më shpejt. E shoqëria??? Gjysma ikën, gjysma presin radhën, gjysma tjetër janë duke menduar çfarë të bëjnë me tre gjysmat që s’u dalin kurrë. Ka vetëm dy gjendje, nervozë dhe të dorëzuar.

Ky vend është si një këngë labe, fillon me lot, mbaron me ngritje zëri, dhe mes dy ekstremeve ne gjejmë arsyen pse nuk çmendemi krejt.

Këtu ku malet janë më të larta se pagat, ku deti është më i pastër se premtimet, dhe ku historia është më madhështore se realiteti. 

Dhe pas gjithë krizave, pas gjithë groteskut që na serviret çdo ditë, ne prapë mblidhemi rreth sofrës, qeshim, dhe mendojmë “Ky vend, me gjithë dreqin brenda, është yni.” 

Por prapë…Ne kemi një dhunti të çuditshme, pothuaj hyjnore, kur bie gjithçka, ne nuk biem. Mund të çahemi, por jo të thyehemi. Mund të largohemi, por jo të harrojmë. Mund të qajmë, por jo të dorëzohemi. Sepse Shqipëria është mallkim i bukur…Të thërret edhe kur s’ke dëshirë, të ndjek edhe kur ikën, të ngre peshë qoftë me një top futbolli. Dhe në fund, edhe kur e shajmë, edhe kur e mallkojmë, edhe kur i kthejmë shpinën…

Shqipëria është e vetmja që na fal gjithmonë!!!

Je e bukur Shqipëri, se Korabi ngrihet si zot i vjetër, Thethi duket si përrallë nordike, Llogaraja është çarja ku takon detin e reve. Aty ku Adriatiku bëhet kristal dhe Joni bëhet magji, kuptojmë pse edhe të huajt mbeten gojëhapur. Se ti Shqipëri je diell mbi gurë dhe aniell mbi ujë.

Në male je ajo Shqipëri që nuk je prishur kurrë. E pastër, e ftohtë, krenare…Aty ndjen se koha mban frymën,vetëm për të mos prishur heshtjen e bukurisë.

Ah Diella, Diella…Ti s’arrin ti kuptosh të gjitha k’to, sepse ty edhe edhe kompjuterët të kërkojnë azil. Ti s’ke ekspertizë, ama je prioritet kombëtar. Je komplet System Error full, por ti Shqipëria ime jo!!!

Je e bukur sepse edhe njerëzit e tu janë si ti, të mirë sa të prishin zemrën, kokëfortë sa të çmendin, të dashur sa të mbajnë peng, të lënduar sa të dhembin, të fortë sa të turpërojnë kur lodhesh.

Je e bukur, Shqipëri,sepse kushdo që largohet të merr në zemër. Kushdo që rri të mban me shpirt…

Je e bukur, sepse ti nuk je thjesht vendi ynë.Ti je historia jonë. Dashuria që na dhëmb. Besa që na mban gjall.

E di Shqipëri, që biri im i dytë mban mbi supe emër me rrënjë të forta ilire? Një emër i shkurtër, por me peshë sa mijëra vjet. Prandaj je kaq e bukur, o Shqipëri.

Sepse në çdo cep tëndin ka diçka që flet me zë të ulët “Mos më harro…Unë jam e jotja!!!”

Lini një Përgjigje