TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Nëntor 2025, 19:51

Republika e zyrtarëve të kërcënuar dhe media që u prish rehatinë!

Shkruar nga Arben Llangozi

Republika e zyrtarëve të kërcënuar dhe media që u prish

Zyrtarët tanë sillen sikur media është një armik që u rrezikon ekzistencën, dhe jo një instrument esencial i demokracisë që ndihmon qytetarët të kuptojnë se çfarë bëhet me paratë, ligjet, drejtësinë dhe vendimet që prekin jetët e të gjithëve.

Ka vite që në Shqipëri dëgjojmë një simfoni qesharake, të përsëritur deri në lodhje, ministra që ndihen të shantazhuar nga gazetarët, deputetë që nuk durojnë dot një pyetje të pakëndshme, drejtues institucionesh që e shohin median si pengesë, madje edhe përfaqësues të drejtësisë, si Altin Dumani, që publikisht kanë folur për presione mediatike.

Është një ansambël zyrtarësh të shqetësuar që, po t’i dëgjosh, duket sikur po përballen me mafia të rrezikshme, jo me gazetarë që mbajnë në dorë një mikrofon dhe një bllok shënimesh.

E gjithë kjo skenë është aq absurde, sa nuk di nëse duhet qeshur apo duart vënë në kokë.

Sepse në Shqipëri ndodh diçka e pabesueshme, pushteti, i pajisur me mijëra mekanizma mbrojtjeje, interpreton pyetjen kritike si “kërcënim”. Zyrtarët tanë sillen sikur media është një armik që u rrezikon ekzistencën, dhe jo një instrument esencial i demokracisë që ndihmon qytetarët të kuptojnë se çfarë bëhet me paratë, ligjet, drejtësinë dhe vendimet që prekin jetët e të gjithëve.

Dhe pse ndodh kjo? Sepse në Shqipëri është rrëzuar pothuajse çdo mekanizëm institucional i kontrollit të pushtetit. Kur inspektimet e brendshme nuk funksionojnë, kur auditimet kryhen sa për t’u mbyllur dosjet, kur ILD-ja (Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë) merret me formalitete dhe nuk prek asnjë hallkë të vërtetë të sistemit, kur kontrollet e brendshme janë thjesht fasadë, kush mbetet? Vetëm media.

Në një vend normal, pushteti kontrollohet nga disa shtylla, parlamenti, drejtësia, organet e inspektimit, auditimet e pavarura, institucionet e llogaridhënies, edhe media. Tek ne, shumica e këtyre shtyllave janë thjesht dekor. Kontrolli parlamentar nuk ekziston, auditimet janë raportime të ftohta që nuk çojnë askund, inspektimet e institucioneve të drejtësisë merren me letra, jo me përgjegjësi. Me pak fjalë, vëzhguesit zyrtarë flenë, ndërsa shkeljet ecin.

Prandaj media është bërë e vetmja frikë reale për pushtetin. Sepse është e vetmja që funksionon. E vetmja që pyet. E vetmja që kërkon dokumente. E vetmja që ka guxim të mos pranojë shpjegime të pakontrolluara. E vetmja që i thotë zyrtarit, “Dil dhe shpjego”. Në mungesë të të gjitha institucioneve të tjera të kontrollit, gazetari shqiptar është shndërruar në inspektorin e fundit të mbetur. Dhe pikërisht ky fakt e ka nxjerrë jashtë loje rehatinë e zyrtarëve.

Dhe këtu nis komedia e vërtetë, në vend që pushteti të përmirësojë transparencën, të forcojë kontrollin e brendshëm dhe të shpjegojë vendimet që merr, ai zgjedh rrugën më të lehtë, shpall median “kërcënim”.

Nëse ILD-ja do funksiononte, nuk do kishte nevojë të trembej kush nga një gazetar. Nëse auditimet do ishin të ndershme, raportet e tyre do flisnin më shumë se çdo kronikë televizive. Nëse inspektorët do vepronin, nuk do kishte nevojë që media të zbulonte çdo skandal. Por si të funksionojnë këto? Atyre apo u mungon vullneti, apo u mungon guximi.

Dhe ja ku jemi, një shtet i tërë që dridhet nga një mikrofon. Një zyrtar që flet për “kërcënime” sepse i kërkohet një dokument. Një drejtues institucioni që flet për “presione” sepse dikush kërkon të dijë pse një çështje është vonuar.

Një figurë e drejtësisë që flet për “pengesa mediatike”, ndërkohë që muret e institucionit të tij nuk i çërrudhin aspak kur firmosen vendime pa transparencë. Dhe e gjitha kjo për një arsye të thjeshtë: media është i vetmi organ kontrolli që nuk u nënshtrohet.

Kjo nuk është demokraci funksionale, është demokraci e lodhur, ku pushteti trembet nga e vërteta, dhe e vërteta del vetëm kur dikush e ndjek me kamera në dorë. Në vendet serioze, zyrtarët përgjigjen me dokumente, jo me viktimizim. Ku ka kontroll të vërtetë, nuk ka frikë nga pyetjet. Ku ka integritet institucional, nuk ka armiqësi ndaj gazetarisë.

Ironikisht, media nuk e rrezikon askënd që është i drejtë. Ajo që rrezikon media është vetëm gënjeshtra, mashtrimi, harresa e llogaridhënies. Prandaj zyrtarët që kanë frikë nga media, në fakt kanë frikë nga pasqyrimi i vetvetes. Dhe kur një shtet arrin në pikën që pushteti i trembet pasqyrës, atëherë qytetarët duhet të jenë më të shqetësuar se kurrë.

Sepse kur nuk funksionon ILD-ja, nuk funksionon auditi, nuk funksionon kontrolli i brendshëm, nuk funksionon mbikëqyrja parlamentare atëherë nëse bie edhe media, bie edhe demokracia. Dhe atëherë nuk na mbetet asnjë sy që sheh, asnjë vesh që dëgjon, asnjë gojë që pyet.

Në këtë vend ku llogaridhënia është shpallur “kërcënim”, media është mbrojtja e fundit që ka qytetari. Dhe sa kohë që zyrtarët vazhdojnë të dridhen nga pyetjet, aq më shumë media duhet të pyesë. Sepse shprehja më e rrezikshme që mund të dëgjohet në një shtet është kjo, S’e kontrollon më njeri.

Dhe pikërisht për këtë arsye, media nuk duhet të heshtë. Asnjëherë.

Lini një Përgjigje