TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Prill 2023, 07:44

Paga 900 euro; tallja e Edi Ramës me shqiptarët

Shkruar nga Spartak Ngjela
Paga 900 euro; tallja e Edi Ramës me shqiptarët
Avokati Spartak Ngjela

Po kryeministri i Shqipërisë, çfarë po bën?Po tallet. Ai merr iniciativa sporadike që ta zvarrisë edhe më tej këtë çështje, që shqiptarët të vijojnë të ikin nga Shqipëria.

Çështja shqiptare sot ka hyrë në një tendencë që ka krijuar një kahje të re për historinë e Shqipërisë, në rrafsh botëror.

Shqipëria ka marrë sot një formim të ri kombëtar.

Shqiptarët, në shumicën e tyre, janë sot të çliruar nga zgjedha sllave që kishte filluar që në vitin 1878.

Lidhja e Prizrenit e dha më në fund produktin e saj: Ajo, pasi i formoi të gjithë shqiptarët në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor, me ndërgjegjen e madhe kombëtare të shqiptarizmit, në 155 vjet ka krijuar botëkuptimin modern të shqiptarëve për historinë dhe për atdheun e tyre.

Dhe kjo ka krijuar momentin historik që është pritur të ndodhë prej më shumë se 100 vjetësh.

Dhe ndodhi, sepse sot Shqipëria dhe shqiptarët, pas 150 vjetësh, krijuan edhe shtetin e tyre të dytë, Kosovën, domethënë Dardaninë. Shtetin e parë historik shqiptar me kryeqytet Nishin.

Askush nuk duhet të ketë më dyshim për të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës. Le të thonë çfarë të duan armiqtë e saj dhe të shqiptarizmit. Shqiptarët sot janë kudo në Perëndim, dhe 3 milionë në Shqipëri e dy milionë në Kosovë.

Njëlloj si hebrejtë, sepse të njëjtin fat kanë pasur në histori.

I.

Por në këtë kohë kryeministri shqiptar po tallet me shqiptarët në Shqipëri.

Sot Shqipëria e ka domosdoshmëri që rroga ligjore duhet të jetë 900 dollar. Nuk mund të ketë rrogë më të ulët se kjo. Dhe kjo duhej bërë që 4 vjet më përpara..

Pse nuk është bërë?

Dhe, pikërisht për këtë kryeministri shqiptar duhet t'i përgjigjet pyetjes: Për kë luani ju, zoti kryeministër, për shqiptarët apo për pushtuesit historike të territoreve shqiptare?

Asnjë pengesë financiare nuk ka për këtë hap, dhe rroga e njohur me ligj duhet të jetë jo më e vogël se 900 dollar.

Po kryeministri i Shqipërisë, çfarë po bën?

Po tallet. Ai merr iniciativa sporadike që ta zvarrisë edhe më tej këtë çështje, që shqiptarët të vijojnë të ikin nga Shqipëria.

Prandaj pyetja është:

Ku e ka lidhjen e tij kryeministri shqiptar që vepron si antishqiptar?

II.

Rrogat kryeministri aktual i Shqipërisë, duhet t'i çojë me ligj në 900 dollar në muaj për person, sepse, pikërisht për këtë, nëse nuk e kryen, ai duhet të rrëzohet.

Kjo është koha e shqiptarizmit dhe çdo kryeministër në Tiranë dhe në Prishtinë, si qëllim kryesor në programin e tij, duhet të ketë rritjen e prodhimit dhe rritjen e mirëqenies popullore të shoqërisë shqiptare, por duhet të ketë edhe një program konkret për bashkimin kombëtar Shqipëri-Kosovë.

E gjithë urrejtja antishqiptare e sllavëve në Beograd në 100 vjetët e fundit ka qenë në eliminimin e çështjes shqiptare në Kosovë. Dhe i bëri të gjitha poshtërsitë antinjerëzore kundër shqiptarëve të Kosovës, kundër arsimit të lartë në Kosovë, kundër gjuhës shqipe; por shqiptarët e Kosovës me një sakrificë heroike, me guximin dhe atdhedashurinë e tyre e ngritën lart shqiptarizmin si doktrinën e tyre të lirisë, më shumë se në Shqipëri.

III.

Sot me forcën e shqiptarisë është fakt se të dy shtete shqiptarë në Gadushullin Ilirik janë sulur drejt progresit perëndimor të ndërgjegjes së tyre kombëtare, dhe prandaj kanë hyrë realisht në momentin e Bashkimit Kombëtar.

Në Ballkanin Perëndimor sot, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi janë rreth 6.000 000 shqiptarë.

Por në të njëjtën kohë duhet të theksojmë se 4.5 milionë shqiptarë janë edhe në Greqi si Arvanitas, dhe 1 milionë të tjerë si shqiptarë, nga Gjirokastra në Konicë, nga Konica në Filat, dhe nga Filati e deri në Prevezë.

Pikërisht ky fakt i ka hedhur në sulm antishqiptar edhe Greqinë, edhe Serbinë, edhe Rusinë.

I ka trembur zgjerimi i Shqipërisë edhe me një shtet tjetër shqiptar, Kosovën, e cila po shkon drejt bashkimit kombëtar.

Por kjo është realisht një tendencë e historisë moderne të Gadishullit Ilirik, dhe prandaj asnjë lloj force nuk mund ta ndalë. Tendencat historike, po të kenë filluar, nuk ka forcë njerëzore që mund t'i ndalojë.

Po rikthimi i Çamërisë a është në këtë tendencë? Po dëmshpërblimi i thellë i genocidit antishqiptar në Çamëri, a është në këtë tendencë?

Sigurisht që edhe këto dy çështje të shqiptarizmit, janë në këtë tendencë historike.

IV.

Na duhet të theksojmë se tendenca e re historike e shqiptarizmit ka filluar në vitin 1999, me luftën botërore për çlirimin e Kosovës. Shqiptarët e fituan atë luftë në sajë të aleatit të tyre të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe...

Kjo është historia e re në tendencën historike të kohës sonë.

Dhe këtë duhet ta ketë mirë parasysh edhe kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, nëse ky luan për Shqipërinë...

ngjela rama paga 900 euro

Lini një Përgjigje