TAGS-AT E JAVËS

Forum10 Prill 2023, 22:19

Çfarë fshihet pas “aleancës” së ish-komunistit Sali Berisha me komunistin Marko Dajti?!

Shkruar nga Nebil Çika

Çfarë fshihet pas “aleancës” së ish-komunistit

Kandidimi i Marko Dajtit me firmë të sekretarit të përgjithshëm të Berishës nuk është rastësi e as taktikë elektorale. Është një simbolikë një mesazh i Berishës, një sfidë e provokim i radhës ndaj aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-ve...

Komunisti enverist Marko Dajti është regjistruar në zgjedhje me firmën dhe mbështetjen e sekretarit të përgjithshëm të Sali Berishës deputetit Flamur Noka. Në fakt Noka ka vepruar ne rastin konkret me porosi të Sali Berishës në një akt vetëflijimi të tipit kamikaz që nuk është i pari, por që mund të rezultojë i fundit për të.

Në këto kushte Noka nuk është fajtori e as përgjegjësi që me firmën e tij mundësoi kandidimin e një komunisti- enverist për kryetar të Bashkisë se Tiranës pasi dihet që ai për Berishën ka bërë e do të bënte shumë më shume se kaq se ashtu ka bërë edhe Berisha për të kur ishte në pushtet.

Po le të rrimë tek thelbi, fakti që Marko Dajti është i vetmi kandidat zyrtar i Berishës në të gjithë vendin, i vetmi me firmën e nr. 2 dy të lëvizjes antiamerikane të Berishës. Belind Këlliçi dhe të tjerët që Berisha po prezanton si të vetët në fakt janë zyrtarisht të PL se Ilir Metës dhe janë regjistruar në zgjedhje me firmën e Brahimllarit. Nuk është se për nga përkatësisë ideologjike e politike që ka përbën ndryshim të madh Meta dhe Dajti, por në kushtet e revolucionit antiamerikan të Berishës, komunisti i deklaruar Dajti është pa dyshim me i përshtatshmi.

Kandidimi i Marko Dajtit me firmë të sekretarit të përgjithshëm të Berishës nuk është rastësi e as taktikë elektorale. Është një simbolikë një mesazh i Berishës, një sfidë e provokim i radhës ndaj aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-ve. Zgjedhja e vetë nr.2 të intifadës së tij për të firmosur për komunistin Marko Dajti është një akt politik e ideologjik nga ana e Berishës. Ai mund të kishte urdhëruar çdo deputet që i shkon pas të firmoste për komunistin Marko Dajti por zgjodhi, Nokën, nr.2 të lëvizjes së tij për t’i dhënë provokimit të tij ndaj të djathtëve antikomuniste dhe aleatëve amerikane e perëndimore rëndësi politike e ideologjike. Në këto kushte çdo demokrat antikomunist, çdo i përndjekur politik i diktaturës komuniste ndjehet i fyer dhe i provokuar nga ky akt i Berishës, se qëllimi i tij kjo ka qenë të provokoje e të fyej ata. Se nuk shpjegohet ndryshe ky veprim i tij që detyron sekretarin e përgjithshëm të firmosë për një komunist- enverist, duke e diskredituar publikisht gjë që mund t’i kushtojë edhe fundin e karrierës politike.

Nuk besoj që Berishës i hynë në punë për ndonjë gjë votat e Marko Dajtit. Ai e di që akti i tij me firmën e Nokës më shumë e dëmton se sa ndihmon kandidatin e PL, Këlliçin, pasi votat e djathta e antikomuniste që do ti ikin pas këtij akti, janë shumë më shumë se sa ato që Marko Dajti mund t’u heqë kandidatëve të tjerë të majtë.

Por Berisha nuk do të fitojë zgjedhjet. Ai kërkon të sfidojë armiqtë e tij që në planin e brendshëm janë e djathta antikomuniste dhe në planin ndërkombëtar SHBA, Britania e Madhe dhe BE. Dhe sfidë më të ndyrë e më të ligë ndaj tyre se kandidimi prej tij i një komunisti- enverist nuk mund të gjendej dhe këtë mund ta mendonte e ta bënte vetëm mendja diabolike e një ish komunisti- enverist si Sali Berisha.

Ky nuk është një gabim i tij, por një akt politik me vetëdije të plotë, ai është kandidati zyrtar në këto zgjedhje i Sali Berishës, njëherazi edhe simbolika më e qartë e revolucionit antiamerikan të tij.

berisha marko dajti komunisti

Lini një Përgjigje