Forum 8 Maj 2023, 18:23

Pushteti okult i dyshes Berisha Meta

Shkruar nga Mero Baze

Pushteti okult i dyshes Berisha Meta

Pushteti okult i dyshes Berisha- Meta mbi shtypin duket i plotë. Dhe kryesorja është se ata kanë listë pagesa në të zezë për shumicën e medias dhe natyrisht një listë të gjatë gazetarësh që janë militantë të tyre të depërtuar në media...

Në një situatë normale, nëse do zbatoheshin ligjet e shtetit shqiptar, opozita Berisha-Meta kishte plot arsye të ankohej. Ajo do kishte më pak kohë televizive gjatë fushatës dhe akoma më keq nuk do të kishte lek për fushatën.

Por në fakt nuk duken të mërzitur. Madje duken të kënaqur.

Sipas raportimeve të Komisionit të monitorimit të medias gjatë fushatës elektorale, nëse u hedh një sy raporteve, shikon se vetëm Top Channel dhe Report TV nuk kanë lejuar epërsi të dyshes Berisha-Meta ndaj të tjerëve në tërësinë e shfaqjes në ekran. Të tjerë i kanë hapur rrugë. Por më keq se të gjithë është televizioni që duhet të ishte më korrekt, ai publik. Në stacionin e dytë të TVSH, Partia Demokratike zyrtare është shfaqur vetëm 3 minuta që nga 14 prilli. Dhe televizioni i familjes Berisha i ka dhënë më shumë kohë, qoftë edhe duke e sharë.

Pushteti okult i dyshes Berisha-Meta mbi shtypin duket i plotë. Dhe kryesorja është se ata kanë listë pagesa në të zezë për shumicën e medias dhe natyrisht një listë të gjatë gazetarësh që janë militantë të tyre të depërtuar në media.

Edhe pse ligjërisht në situatë të pafavorshme ata në fakt janë dominues të shtypit shqiptar.

Një situatë dhe më e rënd duket ajo e financimit të partive. Ligjërisht dyshja Berisha-Meta nuk ka aq shumë fonde në dispozicion, madje Berisha ka zero fonde publike në këtë fushatë pasi nuk ka vulën e partisë.

Por ata përveçse duken komodë më milionat e tyre të padeklaruar, janë duke u tallur bashkë me socialistët me partitë e tjera që ende nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga KQZ dhe thesari i shtetit.

Dhe ky është një skandal. Partitë e vogla dhe Partia Demokratike zyrtare kandidatët e të cilëve nuk kanë shanse të mbledhin fonde solidariteti, po zhvillojnë një fushatë qindarkash, pasi qeveria ende s’iu ka dhënë lekët edhe pse fushata po mbaron. Partia Socialiste natyrisht që ka rezervat e saj financiare plus mundësinë që ka për sponsorizime për fushatën. Ndërsa Partia Demokratike zyrtare dhe të vegjlit praktikisht janë falimentuar.

Të vetmit që ndjehen mirë nga kjo situatë është dyshja Berisha-Meta pasi ata e kanë garën me opozitat e tjera dhe jo me qeverinë. Bllokimi i financimit të fushatës nga qeveria për të vegjlit dhe liria e dyshes Berisha-Meta për të përdorur miliona të padeklaruara, janë një pushtet okult financiar i kësaj dysheje në këtë fushatë. Po ashtu i lejuar nga qeveria.

Do të mjaftonte kjo fushatë elektorale, e cila formalisht i vendos ata në pozita diskriminuese gati viktimë, dhe realisht në pozita favorizuese si diktues të medias dhe financave në këtë fushatë për të kuptuar se pushteti i tyre nuk qëndron tek ligji por tek paligjshmëria dhe vullneti për të përdorur botën e errët të parasë dhe krimit në mes të ditës në garën për pushtet. 

berisha meta pushteti okult