Uashingtoni dhe Teherani po kërkojnë një rrugëdalje diplomatike midis presionit ushtarak dhe nevojës për një marrëveshje të re. Ky proces shihet si një mundësi për të shmangur luftën dhe për të kënaqur ambiciet politike të presidentit amerikan...
Pasi dështoi përpjekja për të rrëzuar regjimin e Ajatollahëve përmes protestave në rrugë, amerikanëve u mbeten tri mundësi për të mbyllur çështjen e Iranit: të sulmojnë vendin me forcën e tyre ajrore dhe detare, të synojnë eliminimin e krerëve të regjimit përmes goditjeve të shënjestruara ose të gjejnë një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit.
Në dy rastet e para, vëren Alberto Bradanini, ish-ambasador i Italisë në Kinë dhe Iran, SHBA-ja duhet të presë reagimin e regjimit iranian, i cili mund të godasë me raketa Izraelin dhe objektiva të tjerë amerikanë në Lindjen e Mesme.
Në rastin e tretë, ata mund ta prezantojnë marrëveshjen në një mënyrë që Trump të shfaqet fitues në publik. I dërguari i presidentit amerikan, Steve Witkoff, pritet të takojë të premten Ministrin e Jashtëm të Teheranit, Abbas Araghchi, i cili ka sugjeruar Omanin si seli të bisedimeve. Ndërkohë, nga pikëpamja ushtarake raportohen fërkimet e para, por ka ende kohë për të shmangur luftën.
Të premten, pritet të nisin negociatat SHBA-Irani. Fillimisht flitej për një takim me Turqinë, Arabinë Saudite, Egjiptin, Omanin dhe Pakistanin. Tani po shkohet drejt një takimi dypalësh në Oman. Në çfarë konteksti po zhvillohen këto bisedime?
Sipas disa analistëve dhe zyrtarëve, forca ushtarake që ka dërguar Donald Trump në Lindjen e Mesme, synon të rrisë presionin mbi Iranin për të arritur një marrëveshje. Sipas të tjerëve, ajo po përgatitet për një agresion të vërtetë.
Disa flasin për një sulm brenda pak ditësh, të tjerë për një afat prej 8-10 javësh, për t’i dhënë kohë vlerësimit të raporteve të forcës dhe përgatitjes për një përplasje të gjatë e të rrezikshme.
Çfarë kërkojnë saktësisht amerikanët nga Irani?
Kërkesa e tyre është e trefishtë. Së pari, heqja dorë plotësisht nga pasurimi i uranit,
edhe pse kjo bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, pasi Irani është anëtar i Traktatit të Mospërhapjes dhe ka të drejtë të zhvillojë teknologji bërthamore civile nën vëzhgimin e inspektorëve të IAEA. Së dyti, që Irani të ndërpresë marrëdhëniet me Hezbollahun dhe Huthit. Dhe së treti, që Teherani të çmontojë kapacitetet e tij raketore, pasi kjo është pika e fortë e mbrojtjes iraniane.
A mund t’i pranojë Teherani këto kërkesa?
Teherani është i gatshëm të diskutojë vetëm për pasurimin e uranit, duke forcuar kontrollet për të zbutur shqetësimet e amerikanëve. Por nuk është gati të diskutojë dy pikat e tjera: çmontimi i mbrojtjes raketore do të thoshte të ekspozohej ndaj një agresioni që të nesërmen.
Askush nuk u beson amerikanëve apo izraelitëve që qëndrojnë pas tyre. Nga ana tjetër, Irani ka deklaruar që edhe nëse sulmohet me një raketë të vetme, do ta konsiderojë si fillimin e një lufte totale dhe do të kundërpërgjigjet duke sulmuar Izraelin.
Cilat janë synimet e vërteta të SHBA-ve?
Pas qasjes aktuale, fshihet një strategji e qartë: ndryshimi i regjimit për ta kthyer Iranin në një mik të SHBA-ve dhe kjo për arsye të dukshme: nafta dhe gazi. Irani është vendi i parë në botë për rezerva energjetike, por jo për shfrytëzim, pasi mungojnë investimet.
Nga ana tjetër, izraelitët nuk do të mjaftoheshin me një ndryshim regjimi; ata duan copëtimin e Iranit, kthimin e tij në një shtet gjithnjë në kaos i Siria, Iraku apo Libia. Megjithatë, në Azinë Perëndimore ekzistojnë dy “shtete-qytetërime”, që nuk mund të eliminohen lehtë: Irani (Persia) dhe Turqia.
A kanë vendosur Izraeli dhe SHBA se si t’i arrijnë këto qëllime?
Ka pasur protesta, fillimisht për shkak të krizës ekonomike, por më pas të nxitura nga amerikanët. Në një video, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaron hapur se monedha iraniane është manipuluar nga qeveria amerikane për ta dobësuar deri në atë pikë sa të pamundësohet importi i ushqimeve dhe medikamenteve. Më pas, pati ndërhyrje për të provokuar reagime të dhunshme dhe përçarje në kupolën e pushtetit.
A pati përçarje?
Regjimi iranian mbetet kompakt. Ajatollahët mbështeten te Gardianët e Revolucionit (Pasdaran). Ekziston edhe ushtria e rregullt (Artesh), ndaj së cilës regjimi ka një farë mosbesimi. Ndoshta Mossad-i dhe CIA kanë investuar tek Artesh-i duke shpresuar për dezertime në rangje të larta, por planet nuk dolën siç pritej.
A kanë SHBA-ja dhe Izraeli një “Plan B”?
Ekzistojnë disa mundësi. Mund të ndodhë që Trump të mendojë ta gjunjëzojë Iranin duke bombarduar infrastrukturën dhe tentuar të “asgjësojë” udhëheqjen. Kjo do të ndizte një reagim iranian që mund të godiste edhe aeroplanmbajtëset amerikane me raketa hipersonike.
Shpresoj që dikush ta ketë llogaritur këtë. Vetë Irani do të paguante një çmim të lartë, por mund të kundërpërgjigjej duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar rritje galopante të çmimit të naftës. Pra nuk do të ishte një luftë e shkurtër.
Si mund ta ndryshojnë ata regjimin pa dërguar trupa në terren?
SHBA-ja nuk mund të dërgojnë ushtrinë e saj në Iran,. Ky vend ka një popullsi tre herë më të madhe se Iraku dhe një territor gjigant. Për më tepër, duhet marrë parasysh roli i Rusisë dhe Kinës. Pekini ndihmoi gjatë protestave duke bllokuar sistemin Starlink të Elon Musk. As Kina, as Rusia nuk do të dërgonin ushtarët e tyre atje, por është e sigurt se do të furnizonin Iranin me teknologji ushtarake të avancuar.
A ka alternativa diplomatike?
Mundësia e tretë është ajo paqësore. Sipas disa analistëve, SHBA ka vështirësi me rezervat e armatimeve, veçanërisht me raketat, sepse sasi të mëdha të tyre janë konsumuar në Ukrainë. Gjithashtu, Kina e ka kufizuar eksportin e “mineraleve të rralla”, të domosdoshme për prodhimin e armëve.
Ç’ mund të propozojnë amerikanët?
Një marrëveshje, ndoshta duke negociuar fshehurazi, që t’u imponojë iranianëve kufizime më të rrepta se ato të vitit 2015. Megjithatë, krahu i djathtë amerikan (si Lindsey Graham apo Mike Pompeo), këmbëngul se Iranit nuk duhet t’i zihet besë. Ky presion mund ta shtyjë Teheranin të ndërtojë përfundimisht bombën bërthamore për të mos qenë më shënjestër.
Pse Witkoff u takua me Netanyahun, përpara se të takonte iranianët?
Izraeli dëshiron që Teherani ta dijë se Uashingtoni dhe Tel Avivi janë më të bashkuar se kurrë. Problemi është se Izraeli është një territor shumë i vogël që mund të shkatërrohej nga raketat iraniane. Në një rast të tillë, Izraeli mund të përdorte armën bërthamore.
Cila nga këto tre opsione ka më shumë gjasa të ndodhë?
Besoj se edhe për amerikanët zgjidhja më e mirë do të ishte një marrëveshje bërthamore që kënaq egon e Trumpit, në mënyrë që ai ta shesë si fitore. Kjo do t’i shërbente edhe për të pretenduar çmimin Nobel për Paqen në vjeshtë të këtij viti./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje