
Bënë ortakë krimin e Organizuar, Mafian, duke ndarë vendimet bashkë, se si do të qeveriset në Tiranë dhe çdo qark, duke e trajtuar vendin si një parcelë private, nën mbikqyrjen e trafiqeve, armëve, vrasjeve.
Shqipëria është në telashe të mëdha. Qeverisja e ka rrënuar në pasuri dhe njerëz duke e shkretuar me një shpejtësi tronditëse. Eksodi i shqiptarëve, nga sytë këmbët, vetëm të zhduken nga dheu i tyre, po e kthen vendin në një azil të madh, ku pushteti është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor.
Ndërkombëtarët, më së shumti eunukë qokash, shëtisin sipas mandateve, ngopen nga produktet e zullumeve financiare njëherësh edhe erotike, e më tej pas kurrizit nuk e kanë merak të kujtojnë sa ka ndodhur e çdo të ndodhë me vendin ku ishin dhe banorët e tij. Edi Rama dhe Erion Veliaj ndërtuesit e paligjshmërisë, shembësit e institucioneve, janë dëshmitë e kthimit të së keqes përtej asaj të menduar në këto tre dekada. Koha e qoftëlargut po fotokopjohet shëmtuar dhe keqas. Ata, asgjësuan zgjedhjet, duke fikur iluzionet se demokracia ka një mekanizëm ku mund të mbështetet për të funksionuar. Rama me të tijtë, kapën drejtësinë duke e shndërruar në një shtojcë të orekseve të tyre, si një zyrë politike rilindase, një fasoneri me mall nga partia. Vunë në krye të sajesës së re, autorët e kohës së vjetër, siguruesit e ndërtuesit e ferrit, sigurimsat ose bijtë, njëlloj si në qeverisje, Kuvend, Parti. Mbërthyen ekonominë duke kontrolluar qindarka e prodhuar miliarda në adresë të llogarive të tyre, e formuan garancinë e mosndryshimit. Bënë ortakë krimin e Organizuar, Mafian, duke ndarë vendimet bashkë, se si do të qeveriset në Tiranë dhe çdo qark, duke e trajtuar vendin si një parcelë private, nën mbikqyrjen e trafiqeve, armëve, vrasjeve.
Kafshuan çdo cep toke, zaptuan bregun e detit, ngritën dhe po ngrenë sarajet e plaçkitjes, pa marrë parasysh se kush e kishte dhe kush e ka këtë apo atë pronë private, aty ku pushtimi i pushtetit ka rënë kriminalisht. Ujë, diell, pyje, miniera, toka, dhuratë mbushur me natyrë nga Zoti për qytetarët tashmë nuk janë gjë tjetër vetëm se një e shkuar e hidhur. U kolumbizuam në harkun e një dekade, me optimizmin se do të bëhet më keq. Kemi me bollëk, hashash, heroinë, kokainë, call centera të mashtrimit financiar, ferma të prodhimit të bitcoin me energji të vjedhur apo të dedikuar, pastrim parash 25 orë në 24 në kulla e ndërtime për turizëm, vrasje me klering. Po zbrazemi si racë e po na shtohen komshinjtë indianë, kinezë, bangladeshas, filipinas, pakistanezë, aziatikë, afrikanë, rusë, serbë, turq e grekë, sa zor të merresh vesh shqip në Shqipëri, e kjo jo thjesht si një vaksinë globalizmi. Po shtohen partitë e kryetarët, por pakësohen anëtarët, boshatisen çdo vit klasa e auditore, mungojnë gjithnjë e më shpesh, mësues, inxhinierë, mjekë, profesorë, teknikë, elektriçistë e hidraulikë. Gjyshërit kanë nip e mbesë whatsapin, kemi fëmijë jetim pa prindër e prindër të braktisur pa fëmijë duke qenë të gjithë gjallë. Na rriten çdo muaj e më tepër patronazhistët, elitarët e rremë, eskorta qejfi e të papunë halli. Po kemi rini që rritet me kryefjalë ikjen.
Gjithë ky kanibalizëm është prodhim politik. Është orgji pushteti. Janë qeveritë tona vrasësit tanë më të mëdhenj. Janë parlamentet tona, partitë tona politike, ekzekutuesit tanë. Sot ne kemi kryeministër kandidat njeriun që urren shtetasit e tij. Ai na sheh si statistikë, si shifra anemike, na numëron si delet një herë në dy vjet, kur i duhemi të kalojë datat zgjedhore. Përgjegjësia është mbi opozitën dhe mbi shoqërinë shqiptare e cila duhet të jetë e gjitha përballë, kundër tij, kundër tyre. Kushdo opozitar që ulet në portofolin e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, është pjesë e krimit të tyre, është episod inceneratorësh. Justifikimet patriotike, integruese dhe euroatlantike, janë rigon i gazuar. Shqipëria është në telashe të mëdha nga tresha e bashkuar, politikë, pushtet, Mafia në kurrizin e saj. Nëse presim se do na ndryshojnë e bëjnë më mirë joshqiptarët, duke na e bërë gati ne, atëherë më mirë aplikojmë për spital të marrësh..
Lini një Përgjigje