Një investigim zbardh për herë të parë prapaskenat tronditëse dhe realitetin e zymtë brenda kampeve të ngritura në Shqipëri me kërkesë të Romës zyrtare. Përmes dokumenteve ekskluzive të siguruara pas një beteje të gjatë gjyqësore, ekspozohet dështimi i një sistemi që kushtoi miliona euro...
Një emigrant kërcënon të presë fytin e vet me një copë xhami. Një tjetër kërkon më shumë ilaçe dhe nis të sakatojë veten. Të njëjtën gjë bën edhe një i tretë, ndërsa një tjetër tenton të qepë buzët me fije teli elektrik.
Një prej tyre u vë flakën rrobave të trupit. E pas kësaj pasojnë përleshje, revolta dhe akte të njëpasnjëshme vetëlëndimi e tentativash për vetëvrasje. Një prej tyre zgjati plot 48 ditë.
Ky është rindërtimi i vuajtjeve të tmerrshme të migrantëve të izoluar në Qendrën e Qëndrimit Paraprak për Kthim (CPR), e ngritur në Shqipëri me vullnetin e qeverisë italiane. Periudha e dokumentuar përfshin kohën nga hapja e qendrës më 11 prill deri më 28 maj 2025.
Këto ngjarje tronditëse ekspozohen sot për herë të parë falë një investigimi të gazetarit Luca Rondi nga revista italiane Altreconomia. Pas një beteje të stërgjatë ligjore, ai arriti të siguronte shënimet zyrtare të operatorëve të “Medihospes” – kompania e kontraktuar nga qeveria Meloni për menaxhimin e strukturës – të cilët mbanin një regjistër të përditshëm të “ngjarjeve kritike”.
Ky dokumentacion prej rreth 40 faqesh përbën atë që Rondi e quan “kutia e zezë” e ferrit të të ashtuquajturit “modeli shqiptar”. Është një dëshmi e dorës së parë për agoninë e përditshme brenda një qendre që Roma e kishte reklamuar si një histori suksesi dhe si model të menaxhimit të jashtëm të migracionit - një rrugë ku tashmë po futet edhe vetë Bashkimi Evropian.
Më 23 prill, një i ndaluar tentoi të vetëmbytej me copa rrobash, ndërsa një tjetër u përpoq të kryente vetëvrasje.
Beteja në dyert e gjykatave
Shifrat flasin vetë: 54 incidente të rënda vetëm në ditët e para të funksionimit. Pjesa dërrmuese ishin akte vetëlëndimi (22 raste), të ndjekura nga tentativat për vetëvrasje (12) dhe protestat e dhunshme të të izoluarve (11).
“Këto të dhëna duhet t’i lexojmë me mjaft rezervë, sepse ajo që pasqyrohet në letër është ndoshta një version i zbutur i realitetit. Sigurisht, Medihospes nuk ka interes të njollosë veten”, paralajmëron Rondi gjatë një interviste.
Dokumentet dolën në dritë vetëm tani pasi autoritetet italiane bënë çmos për të bllokuar publikimin e tyre. Sipas revistës Altreconomia, Ministria e Brendshme italiane arriti deri aty sa të ankimonte një vendim të Gjykatës Administrative (TAR të Lazios) të nëntorit 2025, e cila i jepte të drejtë medias për qasje në dokumente. Mirëpo, më 23 mars të këtij viti, Këshilli i Shtetit i dha fund lojës duke rrëzuar pretendimet e ministrisë, e cila tentoi të fshihej pas “privatësisë së të ndaluarve”.
Gazetari Rondi ka bërë kërkesa të reja për periudhat e fundit, por po ndesh sërish në rezistencën e autoriteteve.
Rezistenca e qeverisë Meloni kuptohet qartë po të shihen tmerret e regjistruara nga vetë stafi. Më 13 prill 2025, vetëm dy ditë pas hapjes, kur në qendrën e Gjadrit ndodheshin vetëm 40 migrantë, regjistri shënoi tetë incidente brenda 24 orëve.
Një i ndaluar u vetëlëndua duke kërkuar rritjen e dozës së terapisë mjekësore. Disa orë më pas, në orën 15:30, një tjetër bëri të njëjtën gjë për të njëjtën arsye. Më vonë, dy të tjerë u rrahën egërsisht me njëri-tjetrin.
Një tjetër kërcënoi se do të priste fytin me xham dhe shkatërroi orenditë sepse donte më shumë qetësues. Në orën 23:30 shpërtheu një revoltë ku u dëmtua rrethimi i jashtëm dhe situata u vu nën kontroll vetëm pas mesnate.
Por qetësia zgjati pak. Në orën 01:00 të natës, një tjetër i mbyllur nisi sërish të vetëlëndohej. Më 17 prill skenari u përsërit. Një prej të ndaluarve simuloi vetëvarje me çarçaf dhe u bind të zbriste vetëm pas ndërhyrjes së ndërmjetësit kulturor.
Në orën 16:00, një tjetër shpoi buzën e sipërme dhe të poshtme me tel duke u përpjekur t’i qepte ato. Më pas, i njëjti person u përfshi në një përleshje të përgjakshme me një shok qelie, refuzoi ndihmën e mjekëve dhe akuzoi tjetrin se donte ta vriste.
Në orën 21:20, një i ndaluar dogji rrobat duke aktivizuar alarmet e zjarrit dhe, 30 minuta më pas, një tjetër improvizoi një litar me çarçafë për t’u vetëvarur. Më 23 prill, tentativat për vetëvrasje u regjistruan në orën 13:00 dhe 13:30.
Në orën 17:30, disa të tjerë u gjetën në qeli duke përgatitur litarë dhe vetëm gjysmë ore më vonë, një tjetër emigrant tentoi të varej.
Një projekt krejtësisht i dështuar
Përtej anës humane, eksperimenti i Shqipërisë ka rezultuar një dështim total edhe në planin praktik. Që nga viti 2024, gjykatat italiane kanë rrëzuar vazhdimisht urdhrat e ndalimit të migrantëve në Shqipëri.
Edhe pse Roma nxori një dekret të ri për të dërguar atje personat që mbaheshin në dhjetë qendrat CPR në Itali, bilanci mbetet qesharak. “Vetëm një grup prej pesë migrantësh është dëbuar direkt nga Shqipëria për në Egjipt, edhe kjo në mënyrë të paligjshme”, thotë Rondi.
“Në të gjitha rastet e tjera, migrantët u morën nga Italia, u dërguan në Shqipëri dhe u kthyen sërish në Itali. Kjo është thjesht një mizori që u shton atyre stres dhe vuajtje të kota”, shton ai.
Fabrizio Coresi, ekspert i migracionit pranë organizatës “ActionAid”, thekson se Italia ka eksportuar në Shqipëri një politikë të dështuar, duke shpërdoruar një pasuri të tërë.
“Të dhënat e viteve 2014–2024 tregojnë se Italia ka arritur të dëbojë vetëm 10 për qind të migrantëve me urdhër dëbimi”, shpjegon ai. Për këtë arsye, “ActionAid” ka depozituar një padi prej 60 faqesh në Gjykatën e Llogarive kundër qeverisë Meloni në dhjetor 2025, për të cilën ende nuk ka një përgjigje.
“Këto transferime nuk janë vetëm të paligjshme, por përbëjnë një dëm të madh financiar për shtetin. Vetëm për ndërtimin e kampit në Shqipëri u shpenzuan 11 herë më shumë sesa kushton një strukturë e tillë në Itali, ose rreth 74 milionë euro. Dhe këto pa llogaritur dietat e policëve, stafin, transportin e materialeve dhe shërbimet mjekësore.
Për më tepër, meqë terreni doli i paqëndrueshëm, u desh të nguleshin 7.000 shtylla betoni që nuk ishin parashikuar në projekt, duke i rritur kostot në stratosferë. E gjithë kjo zhvatje për një vend që në letër premtonte qindra vende, por deri në prillin e kaluar kishte vetëm 96 vende funksionale”- shprehet Coresi.
“Në fakt, qendra në Shqipëri nuk shërben për asgjë”, thotë shkurt dhe prerë Anna Pellegrino, avokate e asociacionit ASGI. “Ajo vetëm sa u shkakton vuajtje të pamerituara njerëzve, u mohon të drejtën e mbrojtjes ligjore dhe qasjen në sistemin shëndetësor italian, pa rritur as numrin e dëbimeve që qeveria e kishte si synim”- nënvizon ajo.
Pellegrino ngre pikëpyetje edhe për fatin e këtyre qendrave pas hyrjes në fuqi të paktit të ri evropian për azilin.
“Nuk dihet se çfarë do të bëhet me to. Sipas rregullave të reja evropiane, përgjegjësia e këtyre kampeve duhet t’i kalojë vendit ku ato ndodhen (si në rastin e Ruandës), por ky nuk është pakti që nënshkroi Italia me Shqipërinë. Modeli i propozuar nga BE-ja është akoma më i keq se ky i Italisë”- përfundon avokatja./Pamfleti nga “El Periódico”
Sa emigrante kemi neper bote qe iken e ikin nga syte kembet? Keta super shtetet e dhjamosur kane me shume vende te humbura vete e nuk mund t'i burgosnin atje? Apo horrat tane te korruptuar bashke me ata shtete qe i sjellin ne kurriz te ketyre njerezve te varfer hallexhinj u vjedhin ushqimin, veshmbathjet e sherbimet e tjera e i ndajne me horrat tane. Dy pellembe toke qe na ka mbetur e zaptoni me beton dhe e vadisni me te dhjerat e ketyre qe merrni e na qlbni token. A e dini qe keta hallexhinj qe vijne nuk qyteterohen per 10 gjenerata duke llogaritur se ku jane lindur e rritur. Shihni gabelet e shkrete ne Shqiperi qe nuki i ndahen jeteses tribale te tyre. U beri shteti 2 pallate qe t'i hiqte nga brergu lumit e kur erdhi dimri dogjen dyert e dritaret te ngroheshin e ngjisnin gomeret ne katin e peste. Keto fjale nuk jane perralla por te verteta e pyesni ju qe nuk i keni jetuar ato kohe. Populli bageti Shqiptar ka shekuj qe di te beje vetem baaa. Dikur ne Senatorium Vera Zheji i propozoi Dr. Kalmarit (cifut) zotni te shkonin per festa ne shtepi. Ai u tjetersua e filloi te gerthiste Jo shocja Vera, t'i thua, ci ci tama, jo nuk ka me ci ci tama. Deri kur populli yne baa do e kuptoje qe nuk ka me ci ci tama.