TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Tetor 2025, 10:09

"Xhambazi i drejtësisë moderne"/ KLP, veshur me kostum dhe paguar me bitcoin

Shkruar nga Arben Llangozi

"Xhambazi i drejtësisë moderne"/ KLP, veshur me kostum dhe

Në vend që të kemi një institucion që ruan integritetin e drejtësisë, kemi një KLP që sillet si tregu i gjallë i Gjirokastrës apo Kavajës ku çdo gjë ka çmimin e vet, mjafton të dish me kë të flasësh.

Nëse në kohën e Enverit xhambazët e gomarëve negocionin nëpër pazarët e Myzeqesë me “mallin” që kishin në dorë, sot në shekullin XXI, Shqipëria moderne ka xhambazët e drejtësisë të veshur me kostum, me titullin pompoz Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Po ndryshimi kush është? Atëherë tregtohej një kafshë për punë dhe xhambazi shiste nga një treg në tjetrin dhe dilte më i fituar, sot tregtohet një post për pushtet me para në dorë apo pagesë me bitcoin.

Në përgjimet e publikuara nga SKAI, del qartë aroma e pazarit, fjalë të koduara, ndërmjetës, interesa e premtime, për të “rregulluar” emërimin e prokurorit të Vlorës, Aurel Zarka. Kështu, në vend që të kemi një institucion që ruan integritetin e drejtësisë, kemi një KLP që sillet si tregu i gjallë i Gjirokastrës apo Kavajës ku çdo gjë ka çmimin e vet, mjafton të dish me kë të flasësh.

Ironia është therëse: sa herë që gazetarët guxojnë të zbulojnë ndonjë skandal që trondit themelet e drejtësisë, KLP reagon me shpejtësinë e një rekordmeni olimpik, jo për të hetuar prokurorin që ka turpëruar sistemin, por për të sulmuar vetë ata që kanë guximin të flasin. Dhe më e bukura është se ky sulm bëhet në emër të drejtësisë, sikur mbrojtja e pazarit dhe heshtjes të ishte mbrojtje e ligjit. Në vend të transparencës, shpërndahen deklarata plot moral, ndërsa morali i vërtetë mbytet në dosjet e pazareve që nuk duan të dalin në dritë.

Në vend të procedimeve disiplinore, shpërndahen deklarata me tone moralizuese, si leksione për etikë, të dhëna nga ata që në përgjime flasin për “rregullime” dhe “nderime” që s’kanë asnjë lidhje me ligjin. Pra, drejtësia shqiptare ka arritur në versionin e saj më grotesk KLP-në që predikon integritetin ndërkohë që pazaron postet. Një “kooperativë prokurorësh” që kujton se është mbi ligjin, mbi median dhe mbi moralin publik.

Nëse në kohën e vjetër xhambazi mburrej që kishte gomerë të fortë, sot xhambazi modern mburret që ka prokurorë të bindur. Dhe ndërsa qytetari pret drejtësi, “drejtësia” pret ofertën më të mirë.

Në fund, pyetja është e thjeshtë, nëse drejtësia shitet si në pazar, kush do ta blejë besimin.

3 Komente

  1. .
    ....

    Turp për drejtësinë Ka mbatuar shteti

    1. R
      Romeo Harshova

      Turp kjo eshte drejtesia shqiptare korrupsion

    2. M
      Martini,

      Dmth qytetari ta mbroje vete te drejten e tij se nuk ia mbron gjyqtari , te cilit i takon te jape drejtesi.

      Lini një Përgjigje