Dy personat që shihni në foton e mësipërme janë dy vëllezërit Ramazan Harapi dhe Agim Harapi, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik që ndodhi mëngjesin e kësaj të shtune në aksin rrugor Lezhë-Milot, në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit.
Sipas policisë, 66-vjeçari Ramazan Harapi po drejtonte automjetin, ndërsa 52-vjeçari Agim Harapi ishte pasagjer.
Sipas policisë, shkaku kryesor i aksidentit që i mori jetën drejtuesit Ramazan Harapi dhe pasagjerit Agim Harapi, ishte edhe pozicionimi i gabuar në karrexhatë i automjetit me shofer 33-vjeçarin Ardit Gjeçi, i cili rezultoi në gjendje të dehur.
Shoferi i dehur është arrestuar në flagrancë nga blutë, ndërkohë që grupi hetimor po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
"Rreth orës 01:30, në aksin rrugor Lezhë–Milot, janë përfshirë në një aksident rrugor automjeti me drejtues shtetasin A. Gj. dhe automjeti me drejtues shtetasin R. H., 66 vjeç. Si pasojë e aksidentit, kanë ndërruar jetë shtetasi R. H. dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin e tij, shtetasi A. H., 52 vjeç. Nga veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes, dyshohet se shkak i aksidentit rrugor të jetë, krahas kushteve atmosferike me reshje të dendura shiu, pozicionimi i gabuar në karrexhatë i automjetit me drejtues shtetasin A. Gj., 33 vjeç, i cili rezultoi në gjendje të dehur",- njofton policia.
Lini një Përgjigje