Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një 37-vjeçari është regjistruar mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Lushnjë–Rrogozhinë, pranë vendit të njohur si Ura e Rrogozhinës.
Viktima është identifikuar si Taulant Veliu, 37 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë në krahun e kundërt të qarkullimit.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimet dhe dëshmive të mbledhura në vendngjarje, 37-vjeçari fillimisht është përplasur me pasqyrën e një automjeti që po kalonte në rrugë. Si pasojë e përplasjes, ai është spostuar në mes të karrexhatës, ku në ato momente po qarkullonte një automjet tjetër tip “Benz”.
Mjeti i dytë e ka goditur biçiklistin dhe e ka tërhequr për disa metra, duke i shkaktuar plagë të rënda që rezultuan fatale. 37-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje.
Menjëherë pas aksidentit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale dy drejtuesit e automjeteve të përfshira në aksident.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive lidhur me ngjarjen e rëndë.
Lini një Përgjigje