TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Tetor 2025, 17:18

Aksident në Rrugën e Arbrit; përplasen dy makina; katër anëtarë të një familjeje të dëmtuar

Shkruar nga Pamfleti

Aksident në Rrugën e Arbrit; përplasen dy makina; katër

Një aksident është regjistruar këtë të shtunë në Rrugën e Arbrit, në vendin e quajtur “Vanar” të Njësisë Administrative Xibër.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës, ku dy automjete, një “Opel” dhe një “Volvo”, janë përplasur ndërsa udhëtonin në drejtim të Dibrës.

Sipas dëshmitarëve, në momentin e aksidentit rruga ka qenë e mbingarkuar nga autokolona automjetesh që lëviznin drejt qarkut të Dibrës për fundjavë. Dyshohet se një prej automjeteve ka tentuar të ndalet në rrugë, duke detyruar mjetet pas tij të frenojnë papritur. Për pasojë, automjeti i fundit ka goditur nga pas “Volvon”, në të cilën udhëtonin katër anëtarë të së njëjtës familje.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë dhe autoambulanca. Të lënduarit u transportuan drejt Qendrës Shëndetësore të Klosit për kontroll mjekësor, ku sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes, ndërsa trafiku në zonë është normalizuar pas ndërhyrjes së policisë.

Rruga e Arbrit vijon të jetë një nga segmentet më të ngarkuara gjatë fundjavave, për shkak se shumë qytetarë që jetojnë në Tiranë udhëtojnë drejt Dibrës për pushime familjare. Autoritetet bëjnë apel për kujdes dhe respektim të distancës së sigurisë gjatë qarkullimit në këtë aks.

Lini një Përgjigje