
Aksidenti tragjik në Lezhë–Shkodër mbyll një ditë zie me viktima e plagosje masive...
Rrugët shqiptare kanë njohur sot një bilanc të ngjashëm me kohë lufte: pesë persona humbën jetën dhe mbi 15 të tjerë mbetën të plagosur në një seri aksidentesh të rënda brenda 24 orëve të fundit.
Ngjarja më e fundit ndodhi në aksin nacional Lezhë–Shkodër, pranë fshatit Fishtë, ku një automjet u përplas me një trailer me targa serbe dhe përfundoi në një kanal. Si pasojë, një grua rreth 60 vjeç humbi jetën dhe katër persona të tjerë u plagosën.
Por ky aksident është vetëm maja e një dite tragjike: dy minatorë gjetën vdekjen në segmentin Qafë Buall–Bulqizë pasi mjeti me të cilin po udhëtonin doli nga rruga; një grua ndërroi jetë në rrugën Peshkopi–Luzni, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në spital; në Krujë, një vajzë 4-vjeçare humbi jetën pasi u përplas aksidentalisht nga i ati; ndërkohë dhjetëra të tjerë u plagosën në Korçë, Fushë-Arrëz dhe Elbasan.
Ekspertët e sigurisë rrugore e lidhin këtë bilanc me mungesën totale të kontrollit në rrugë. Policia rrugore, që duhet të ishte në kulmin e sezonit turistik në gatishmëri maksimale, duket inekzistente, duke lënë rrugët në mëshirë të fatit. Kaos në trafik, mungesë sinjalistike dhe drejtues mjetesh që qarkullojnë pa asnjë kontroll po shndërrojnë rrugët shqiptare në “zona lufte”.
Sot, Shqipëria është zyrtarisht në zi jo vetëm për viktimat e aksidenteve, por edhe për dështimin e institucioneve që duhet të garantonin jetën në rrugë.
Lini një Përgjigje