
Pas publikimit të lajmit nga ana e “Pamfletit”, policia është kujtuar të ndalojë autorin e ngjarjes së rëndë në Ksamil.
Shtetasi Agim Taraj ka dhunuar dhe gjakosur një qytetar, pas një sherri mes tyre. Pas përplasjes ai u largua i qetë dhe nuk i hyri gjemb në këmbë. Por pas publikimit të lajmit, policia është kujtuar dhe e ka shoqëruar në komisariat.
“Sot, rreth orës 12:45, në Ksamil, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, është dhunuar me sende të forta shtetasi A. P. Menjëherë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë shoqërimi i shtetasit A. T, si dhe po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë të dyshuar si persona të përfshirë në këtë konflikt”, tha policia.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se i lënduari është Albert Pashaj, pronar i “Euro Hotel Ksamil”, i cili është sulmuar me sende të forta brenda ambienteve të hotelit të tij. Si autor i dyshuar i dhunës identifikohet Agim Taraj, pronar i “Sunset Restorant Ksamil”. Agim Taraj rezulton person me precedentë penalë për dhunë dhe trafik droge.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka ardhur si pasojë e një konflikti për menaxhimin dhe vendosjen e çadrave në hapësirën përballë hotelit.
Lini një Përgjigje