TAGS-AT E JAVËS

Kronike18 Shtator 2025, 13:45

E rëndë në Himarë, polici bashkiak godet me levë qytetarin para banesës së tij; i dhunon edhe familjarët

Shkruar nga Pamfleti

E rëndë në Himarë, polici bashkiak godet me levë

Një qytetar është dhunuar dhe goditur me leva në trup dhe kokë para banesës së tij nga efektivi i Policisë Bashkiake Himarë, Albano Baraj.

Ngjarja e cila është denoncuar nga familja e të dhunuarit, raportohet se ka ndodhur dy ditë më parë, para banesës së shtetasit Andi Hoxha.

Familjarët e Andi Hoxhës bëjnë me dije se polici bashkiak, i cili më herët kishte pasur një konflikt me shtetasin Hoxha, ditën e ngjarjes është paraqitur para banesës së tij dhe ka sulmuar në mënyrë brutale Andi Hoxhën dhe familjen e tij.

Sipas dëshmive të qytetarëve të pranishëm, Andi Hoxha është goditur disa herë me levë në kokë dhe trup, duke u lënë pa ndjenja dhe duke i rrezikuar seriozisht jetën.

Gjithashtu bashkëshortja e tij, në pritje të një fëmije, si dhe nëna 80-vjeçare, janë gjithashtu goditur e keqtrajtuar gjatë tentativës për të mbrojtur viktimën.

Familja e Hoxhës thotë se pavarësisht thirrjeve të shumta, në vendngjarje nuk është paraqitur Policia e Shtetit, por vetëm autoambulanca.

“Pas sulmit, autori i njohur si person i përsëritur në akte dhune nuk u shoqërua dhe as u ndalua nga policia, por përkundrazi u pa duke u paraqitur normalisht në vendin e punës në Bashkinë Himarë. Ky fakt ngre dyshime të forta për favorizim dhe komprometim nga ana e Policisë së Shtetit në Himarë, e cila deri më sot nuk ka marrë asnjë masë ndaj autorit”, njofton familja e Andi Hoxhës.

Gjendja shëndetësore e të lënduarit mbetet e rënduar. Fillimisht ai u nxor nga spitali vetëm dy orë pas daljes nga koma, ndërkohë që u detyrua të rikthehej me urgjencë pas një kolapsi në rrugë. Aktualisht ai vijon trajtimin në spitalin e Vlorës.

Lini një Përgjigje