
Një nga personat kryesor të dyshuar për vrasjen e Martin Bardhit dhe plagosjen e 3 personave të tjerë paraditen e së martës në Rrëshen, Saimir Reçi dhe pjesëtarë të tjerë të fisit Reçi janë marrë në pyetje për herë të dytë nga policia dhe janë lënë sërish të lirë, pasi nuk ka prova që i implikojnë në këtë atentat.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen dhe mund ta verifikoni lehtësisht dhe përmes kamerave apo dëshmitarëve ku kam qenë ditën ku ka ndodhur vrasja. Konfliktin që kemi patur është referuar në polici dhe ja kemi lënë në dorë drejtësisë”, kështu është shprehur para hetuesve Saimir Reçi.
Ndërkohë pista kryesore e hetimeve është hakmarrja, për shkak të konflikteve qe ka patur viktima me fisin Reçi. Pavarësisht pretendimeve të tyre, grupi hetimor po verifikon të gjitha lëvizjet para dhe pas ngjarjes të Saimir Reçit dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes.
Ndërsa ditën e sotme është zhvilluar një mbledhje në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, ku krahas përfaqësuesve te prokurorisë kane qenë të pranishëm dhe drejtues të sektorit të kriminalitetit në Policinë e Shtetit. Në këtë takim është diskutuar mbi hetimet e deritanishme në lidhje me ngjarjen e cila vijon të mbetet pa autor.