Kronike28 Mars 2023, 11:00

Ekzekutoi ndërtuesin dhe më pas e groposi në Dajt, 43-vjeçari ekstradohet nga Franca; në ‘97-n kishte vrarë dhe një polic

Shkruar nga Pamfleti

Ekzekutoi ndërtuesin dhe më pas e groposi në Dajt,

Bledar Mneri, 43 vjeç, është ekstraduar dje nga Franca pasi është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen me paramendim të ndërtuesit Vasil Biba, i cili u gjet i groposur në malin e Dajtit. Ngjarja e rëndë kriminale ka ndodhur në datë 14 shkurt 2016. Biba u gjet i vrarë me dy plumba në kokë dhe i groposur në vendin e quajtur “Zabel”, në territorin e Komunës së Dajtit.

Po kush është Bledar Mneri Mneri i ekstraduar dje në Shqipëri si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Paris?

Mneri rezulton i dënuar më parë për veprën penale të vrasjes së kryer në bashkëpunim, të punonjësit të Policisë së Shtetit A.M., ndodhur në vitin 1997. 43-vjeçari është gjithashtu një person me precedentë penalë në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.

Nga hetimet e koordinuara të Policisë dhe Prokurorisë, dyshohet se motivi i vrasjes së ndërtuesit ka qenë mashtrimi në fushën e ndërtimeve dhe shuma të mëdha të pashlyera (borxhe) nga ana e viktimës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, sepse ka vrarë me armë zjarri, shtetasin Vasil Biba, në vitin 2016, në fshatin Priskë, Tiranë.

Shtetasi Bledar Mneri iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për ekzekutimin e vendimin të Gjykatës.

vrasja ndërtuesit 43 vjeçari