Agjencia Kombëtare Britanike kundër Krimit (NCA) njofton se 40-vjeçari përballet me akuza për lehtësimin e kalimeve të paligjshme me varka të vogla në vitet 2021 dhe 2022...
Një shtetas shqiptar është arrestuar dhe është vënë nën akuzë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra penale që lidhen me trafikun e emigrantëve përmes kalimeve me varka të vogla në Kanalin Anglez, pas një hetimi të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare Britanike kundër Krimit (NCA).
Sipas njoftimit të NCA-së, Vilson Halili, 40 vjeç, u arrestua nga oficerët e agjencisë në Redhill, në qarkun Surrey, të enjten, më 25 qershor.
Pas marrjes në pyetje, prokuroria ngriti ndaj tij dy akuza për komplot me qëllim lehtësimin e emigracionit të paligjshëm, në lidhje me kalime të kryera gjatë viteve 2021 dhe 2022.
Përveç këtyre, Halili akuzohet edhe për mashtrim, në lidhje me dokumente identiteti të dyshuara si të falsifikuara që u identifikuan gjatë operacionit, si dhe për vepra penale që lidhen me pastrimin e parave.
Sipas NCA-së, Halili pritet të dalë para Gjykatës së Magjistratëve në Guildford.
Lini një Përgjigje