Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik detar i ndodhur pasditen e djeshme në Gjirin e Ksamilit, ku humbi jetën 22-vjeçari Albiano Kreçi.
Sipas "News 24", i riu ishte diagnostikuar me diabet që në moshën 15-vjeçare dhe prej dy vitesh trajtohej me insulinë. Mësohet se para se të hipte në mjetin lundrues, ai kishte marrë dozën e insulinës.
Burime mjekësore bëjnë me dije se ky faktor mund të ketë ndikuar në gjendjen e tij fizike dhe në humbjen e kontrollit të mjetit, megjithatë shkaku i saktë i aksidentit mbetet objekt i hetimeve zyrtare.
Ndërkohë, videoja që dokumenton momentin e përplasjes së mjetit lundrues me skafin e Policisë Kufitare është regjistruar nga një velierë e huaj e ankoruar në Gjirin e Ksamilit dhe po analizohet nga grupi hetimor.
Për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes dhe rrethanat e ngjarjes, trupi i 22-vjeçarit është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës përkatëse.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e Ksamilit, ndërsa familjarët dhe të afërmit janë përballur me humbjen e papritur të të riut, i cili ishte vëllai i vetëm mes dy motrave. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aksidentit të rëndë.
"Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes", thuhej në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje