Kronike 2 Mars 2023, 09:46

Goditet grupi kriminal në Tiranë, sekuestrohet drogë me vlerë 100 mijë euro; 3 të arrestuar

Shkruar nga Pamfleti
Goditet grupi kriminal në Tiranë, sekuestrohet drogë me

Një grup kriminal është goditur në qarkun e Tiranës. Detajet e operacionit i dha kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i cili shtoi se tre persona janë arrestuar, ndërkohë është sekuestruar drogë me vlerë 100 mijë euro. Po ashtu u zbardhën 24 vjedhje në Kavajë.

“Gjatë këtyre 2 operacioneve u evidentua një vilë e përshtatur për kultivim kanabisi, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit cannabis sativa me vlerë rreth 100 000 euro, u sekuestruan 3 armë zjarri, municion luftarak, 1 granatë, si dhe u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i 24 vjedhjeve në banesa, të ndodhura në rrethin e Kavajës, më konkretisht;

Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas një hetimi me metoda speciale, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Shtëpia jeshile”. Për finalizimin e këtij operacioni, strukturat e Policisë kanë përdorur edhe një mjet inteligjent dron.

Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që ushtronte veprimtarinë në fushën e kultivimit të kanabisit, me anë të llambave, dhe të tregtimit të tij, në qytetin e Tiranës. Si rezultat i hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur identifikimi i këtyre shtetasve dhe lokalizimi i ambienteve që ishin përgatitur për të kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis.

Bazuar në këto prova u organizua dhe finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Shtëpia jeshile”, në kuadër të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– E. P. alias E. B., 29 vjeç, banues në Tiranë;

– A. M., 44 vjeç, banues ne fshatin Mallkuç, Fushë-Krujë;

– G. M., 26 vjeç, banues në fshatin Mallkuç, Fushë-Krujë.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A. M., në Mallkuç, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 61 kilogramë lëndë narkotike kanabis, e paketuar gati për shitje, me vlerë rreth 100 000 euro. Gjithashtu, nga kontrolli u gjetën dhe u sekuestruan pajisje të ndryshme që shërbejnë për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura, si: llamba, aspiratorë, ventilatorë, filtra ajrimi etj, një shotgun, municion luftarak, shuma parash, 2 automjete dhe 3 aparate celulare. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 3 të arrestuarit, pasi kultivonin kanabis në banesën e shtetasit A. M., e paketonin dhe më pas e shisnin atë. Ky operacion është bërë i mundur falë dhe bashkëpunimit me DVP Durrës.”-njofton policia.

grupi kriminal tiranë arrestime