TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Shtator 2025, 08:38

I bëri atentat boksierit që i kishte plagosur babain, arrestohet 28-vjeçari në Tiranë; në pranga edhe shoku i tij

Shkruar nga Pamfleti

I bëri atentat boksierit që i kishte plagosur babain, arrestohet

Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas policisë, i arrestuari është Alban Bruçi. I riu ishte shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Shkodrës të vitit 2024, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjatë operacionit policor u arrestua edhe Arjan Sardi, 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se po e transportonte me motomjet Bruçin në momentin e ndalimit. 

Alban Bruçi u arrestua në kuadër të operacionit “Operacionalja 67”, teksa gjatë kontrollit fizik me vete iu gjetën një shumë parash, 3 celularë, 1 kartë SIM dhe 1 kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar, të gjitha të sekuestruara si prova materiale.

Kush është Alban Bruçi?

Alban Bruçi është autor i një atentati të dështuar të ndodhur më 7 shtator 2024 në Shkodër për motive hakmarrje. Shënjestër e tij ka qenë Arlind Kajoshi, personi që i kishte plagosur më parë babain, Vladimir Bruçin.

Por ditën e atentatit, me një automjet fuoristradë tip “Land Rover”, me targa AB230EO ka qenë duke lëvizur i vëllai i Arlind Kajoshit, boksieri Arjon Kajoshi, i cili u qëllua me plumba, por shpëtoi pa lëndime dhe u largua me vrap në lagjen Rus. 

Bruçi dyshohet se është hakmarrë për të atin, që ia rrahën më 3 qershor të 2024-ës po në lagjen Rus. Asokohe policia njoftoi se 62-vjeçari Vladimir Bruçi është dhunuar nga 5 persona për një vend parkimi. Në mesin e personave të shpallur në kërkim ishin dy vëllezërit Arlind dhe Arjon Kaloshi.

Edhe autori, Alban Bruçi ishte person në kërkim pavarësisht se lëvizte lirshëm në qytet me pistoletë në brez. Më 3 qershor, kur u plagos i ati ai dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbardhjen e ngjarjes. I njohur si person problematik në Shkodër, në 2022 Bruçi u shpëtoi plumbave që u shkrehën ndaj tij nga Tonato Fusha dhe Bajram Çerkoja.

"Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar. Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 67”.

Kapet në rrugën “Teodor Keko” dhe vihet në pranga një 28-vjeçar i shpallur në kërkim për tentativë për vrasje me paramendim dhe për armëmbajtje pa leje.

Në momentin e ndalimit, 28-vjeçari posedonte një kartë identiteti italiane false.

Vihet në pranga dhe shtetasi që shoqëronte dhe transportonte 28-vjeçarin, me motomjet.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 67”, gjatë të cilit u kap në rrugën “Teodor Keko” dhe u vu në pranga shtetasi:

-A. B., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili ishte shpallur në kërkim me vendimin e vitit 2024, të Gjykatës së Shkodrës, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasi A. B. iu gjetën një shumë parash, 3 celularë, 1 kartë SIM dhe 1 kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga, për përkrahje të autorit të krimit, shtetasi A. S., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili shoqëronte shtetasin A. B., në momentin e kapjes nga shërbimet e Policisë. Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. S. transportonte shtetasin A. B., me motomjet, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër që bëri ekzekutimin e urdhrave për ndalimin e shtetasit A. B. dhe arrestimin e shtetasit A. S.. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.

I bëri atentat boksierit që i kishte plagosur babain, arrestohet

Lini një Përgjigje