
Një 41-vjeçar shqiptar, i kërkuar që nga tetori i kaluar për një vjedhje të vitit 2016 në Stoupa të Greqisë, u arrestua në aeroportin Valerio Catullo (Verona).
Shqiptari u kap teksa do të hipte në linjën ajrore për të udhëtuar drejt Shqipërisë, ku ndoshta kishte menduar të humbiste gjurmët.
Gjatë kontrollit të dokumenteve, u pa se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-ndalimi ndërkombëtar.
Sipas autoriteteve greke, burri dyshohet se kreu një grabitje me vlerë 130,000 euro. Duke përfituar nga besimi që kishte krijuar me pronarin, që më parë e kishte punësuar për punë bujqësore, ai dyshohet se mori informacione rreth zakoneve të tij dhe mënyrës se si i ruante paratë. 41-vjeçari akuzohet se ka hyrë me forcë në makinën e ish-punëdhënësit të tij, të parkuar pranë restorantit të tij, dhe ka vjedhur një çantë laptopi që përmbante paratë e gatshme, të ndara në kartëmonedha me prerje të ndryshme. Autoritetet greke e kanë përshkruar atë si një “hajdut profesionist”, duke theksuar përgatitjen me të cilën dyshohet se vepronte.
Pas arrestimit të tij, shqiptari u dërgua në stacionin e policisë për t’u marrë në pyetje dhe më pas u transferua në burgun e Montorios, ku u mbajt nga autoritetet gjyqësore. Sipas ligjit evropian, krimi dënohet me një dënim me burg prej më shumë se tre vjetësh. Procesi i ekstradimit është tani në duart e gjyqësorit, i cili do të vendosë nëse do ta transferojë 41-vjeçarin në Greqi për t’u përballur me akuzat.
Lini një Përgjigje