Përballë aeroportit të Rinasit, në portën hyrëse të Shqipërisë, rreth orës 14:20 të ditës së martë ndodhi një atentat tipik mafioz, ku nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt dy personave.
Pas 4 ditësh qëndrimi në Barcelonë, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri u rikthyen në atdhe dhe me mjetin të cilin e kishin parkuar brenda aeroportit dolën drejt rrethrrotullimit të aeroportit, pa e ditur se do të binin në kurthin e ngritur nga së paku 4 persona të cilët i donin patjetër të vdekur.
Një mjet Toyota iu vu pas makinës së tyre duke qëlluar me breshëri dhe pa iu dhënë mundësi reagimi. Mbi 100 plumbat e derdhur drejt Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit detyruan makinën të stopohej dhe krijuan panik dhe dëme materiale edhe në bizneset e zonës të mbushura me qytetarë. Autorët u larguan nga vendngjarja vetëm kur u bindën se misioni ishte kryer.
Nga të shtënat, Gilmando Dani, i cili ishte në vendin e pasagjerit, ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Muçi Shaljani mbeti i plagosur rëndë dhe po lufton me jetën në spital.
Pas krimit, atentatorët u larguan drejt fshatit Halil, ku braktisën makinën e përdorur në ngjarje dhe brenda saj municionin dhe 4 kallashnikovë.
Policia dyshon se ata kanë pasur informacion të plotë mbi lëvizjet e Gilmando Danit, se kur ai kthehej nga Barcelona dhe me çfarë makine lëvizte.
Pjesë e grupit të strukturuar kriminal të Emiliano Shullazit, Gilmando Dani ka një CV të pasur kriminale, mbi të cilën policia do të ndalet për të identifikuar shkaqet dhe autorët e kësaj ngjarjeje. I arrestuar disa herë për armëmbajtje, kanosje dhe gjobëvënie, Dani kishte veç një vit që kishte dalë nga burgu. Kjo është hera e tretë ndaj të cilit organizohen sulme me armë. Më herët, Dani i ka shpëtuar atentateve të ngjashme në 2011 dhe 2015.
Ndërsa miku i tij, Muçi Shaljani, rezulton pa probleme me ligjin. Ai rezulton prej 3 muajsh i punësuar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që presupozohen të pastrojë radhët e policisë, por që udhëtonte dhe shoqërohej me një person me dritëhije kriminale.
Kush ishte Gilmando Dani?
E shkuara kriminale është pikërisht pista e hetimit për atentatin mafioz që i mori jetën Danit. I njohur si krahu i djathtë i Shullazit, Dani ka një histori të gjatë me ngjarjet kriminale që prej vitit 2006 kur u shpall në kërkim për armëmbajtje pa leje. Gilmando Dani i ka shpëtuar dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazit. Në tetor 2024 ai është liruar nga burgu pas një vendimi gjykate për liri me kusht për shkak se kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit prej 12 vite burg për “Gjobëvënie”.
Ndryshimi drastik i Gilmando Danit pas daljes nga burgu

Kur të gjithë e dinin në burg ose e kishin harruar emrin e tij, për shkak se Gilmando Dani kishte zgjedhur të mbante një profil gati inekzistent, vrasës profesionistë e pritën në Rinas dhe e ekzekutuan në një prej zonave që duhet të konsiderohej më e sigurta në Shqipëri.
Pas daljes nga burg në tetor 2024 dhe shlyerjes së dënimit 12 vjeçar për shantazh e gjobëvënie ndaj biznesmenit Ylvi Beqja, Gilmando Dani kishte pësuar një ndryshim drastik në pamje.
Djali i gjatë dhe i imët që mediat e kishin fiksuar disa herë në gjyqin e grupit Shullazi krah Emiljanos, nuk njihej.
Dukshëm më i shëndetshëm dhe më flokët e rënë, 47 vjeçari kishte marrë drejtimin e grupit dhe paralelisht po përpiqej të ndërtonte një jetë të re.
Lini një Përgjigje