I penduari i drejtësisë Artan Tafani, “miku” i Laert Haxhisë ka zbardhur dhjetëra ngjarje kriminale në vend dhe jashtë vendit, duke përfshirë edhe gjashtë vrasje.
Familja e 27-vjeçares Klea Gjata, e dashura e Laert Haxhisë, e arrestuar një ditë më parë janë kërcënuar nga familjarët e viktimave, të vrarë nga banda e Laert Haxhisë.
Avokati i saj, Detar Hysi pretendon se familja e Gjatës ka marrë kërcënime nga familjarë të viktimave.
Sipas avokatit, policia dhe prokuroria kanë tejkaluar kompetencat, pasi nuk kanë kryer verifikime dhe konfirmime thëniesh të një të penduari për 3 ditë. Ai ka kërkuar të merren masa ligjore për sigurimin e jetës së qytetarëve.
Ndërkohë, nëna e 27-vjeçares tha në një prononcim për mediat se është kërcënuar nga familjarët e një të vrari.
"Erdhi nëna e një të vrari e na kërcënoi. Vajza ime s’ka lidhje me vrasjet. Ndihem e kërcënuar", tha ajo.
Kujtojmë se policia ka kryer disa operacione dhe deri më tani kanë rënë në pranga 12 persona, e mes tyre edhe një femër, e identifikuar si Klea Gjata, 27-vjeç e dashura e Laert Haxhisë.
Dyshohet se Klea Gjata, nga Lushnja, pjesë e grupit të vrasësve me pagesë të Laert Haxhisë, është e përfshirë në një vrasje, por mbetet e paqartë se cili ka qenë roli i saj.
Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku doli në një konferencë për shtyp dje për operacionin e zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës, të koduar “Never Forget”.
Ai tha se në total janë zbardhur 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 6 vrasje, 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 2 raste të vjedhjes me dhunë dhe 3 raste të sigurimit të kushteve për vrasje.
"Klea Gjata, 27 vjeçe, banuese në Lushnjë, dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, tha Rrumbullaku për mediat.