
Policia ka zbuluar një “shtëpi bari” brenda një tuneli në Krujë. Në pranga kanë rënë pesë persona, dy prej të cilëve janë punonjës të OSHEE-së ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Bimët narkotike u evidentuan në një tunel ushtrie në zonën e mbrojtur mjedisore në Krastë.
Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 390 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Në vijim të hetimit, u konstatua se tuneli furnizohej me energji elektrike të pandërprerë nëpërmjet një lidhjeje të paligjshme të energjisë elektrike, në shtyllën e tensionit në fshatin Halil, Fushë Krujë, lidhje për të cilën ka qenë e nevojshme patjetër ndërhyrja e specializuar e punonjësve të OSHEE-së së zonës.
Për këtë arsye u arrestuan shtetasit O. F. dhe E. H., me detyrë punonjës të OSHEE-së Fushë Krujë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Gjithashtu u shpallën në kërkim 2 punonjës të tjerë të OSHEE-së, përgjegjësi i grupit të OSHEE-së si edhe një elektricist i zonës.
Vijon puna hetimore për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike”, “Organizimi i lojërave të fatit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.