
Autori në gjendje të dehur ka goditur 54-vjeçaren me thikë dhe më pas ka tentuar t’i japë fund jetës në kushtet e tronditjes psikologjike, duke prerë damarët.
Zbardhet dëshmia e 57-vjeçarit amerikan Brendon Saporito, i cili vrau me thikë partneren Sandra Saporito, 54 vjeçe në Gjyhadol të Shkodrës.
Para hetuesve, Saporito është shfaqur i penduar për krimin, ndërsa sipas tij vrasjen e ka kryer pasi të dy kishin qenë në gjendje të dehur dhe po ziheshin. Shkak për zënkën janë bërë sharjet dhe ofendimet e 54-vjeçares ndaj tij.
Brendon Saporito deklaroi se kohët e fundit, zënkat mes tyre ishin shumë të shpeshta, pa një arsye të qartë. Pasi ka kryer vrasjen, në gjendje të rëndë psikologjike, Saporito preu damarët, i penduar menjëherë për çfarë kishte bërë.
Trupi i viktimës është sjellë në Tiranë ndërsa raportohet se ka pasur edhe përfaqësues të ambasadës amerikane.
57-vjeçari amerikan u arrestua ditën e sotme nga policia, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Ditën e djeshme, pas krimit autori u transportua në spital, teksa ishte në gjendje të dehur. Ai plagosi veten duke tentuar të presë damarët me thikë, ndërsa kishte marrë dëmtime të lehta, në duar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Shkodër arrestuan shtetasin amerikan B. S., 57 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi: Më datë 02.05.2025, në lagjen “Vasil Shanto”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se në gjendje të dehur, për motive të dobëta, ka dhunuar e goditur me sende të forta dhe me mjet prerës, bashkëshorten e tij shtetasen S. S., 54 vjeçe, e cila si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën në vendin e ngjarjes”, njoftoi sot policia.
Mësohet se çifti i turistëve ndodheshin në Shqipëri prej pesë ditësh. Nga profili në Facebook i autorit, shihet se kanë hyrë në Rinas më 27 Mars, ndërsa në foton e publikuar, Sandra Saporito shkruan se kanë mbërritur shëndoshë e mirë në Tiranë dhe ndodhen të ulur në ambjentet e një bar kafeje. Ata ishin nisur në drejtim të Shqipërisë nga aeroporti i Miamit, në datën 26 mars. Ndërkohë, motivet e krimit mbeten ende të paqarta.
Lini një Përgjigje