
Një tjetër rast i rrezikshëm armëmbajtjeje pa leje është goditur nga Policia e Sarandës, në kuadër të operacionit të koduar “Impact”, zhvilluar mes masave të shtuara për sezonin turistik. Në pranga ka rënë shtetasi Sh. M., 31 vjeç, nga Gjilani i Kosovës, i cili udhëtonte me një “Range Rover” në zonën e Ksamilit.
Gjatë kontrollit nga efektivët e Komisariatit të Sarandës, në çantën e dorës së të arrestuarit u gjet një armë zjarri pistoletë e llojit “Beretta”, së bashku me një krehër të mbushur me fishekë. Mjeti, arma dhe municioni u sekuestruan menjëherë në cilësinë e provës materiale.
“Në vijim të kontrolleve të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lidhur me një rast të armëmbajtjes pa leje që cenonte sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Impact”. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar: Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Range Rover” që drejtonte ky shtetas, në Ksamil, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur në çantën e tij të dorës, 1 armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, me një krehër me fishekë. Arma, municioni dhe automjeti i 31-vjeçarit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, tha policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje