
Një 34-vjeçar me profesion mësues është arrestuar nga policia në Elbasan, pasi akuzohet se ka kanosur një person nën pretendimin se i ka dëmtuar reputacionin e tij si arsimtar.
Mësohet se konflikti mes mësuesit dhe prindit ka ndodhur pasi mësuesi sillej jo profesionalisht me nxënësit në klasë duke ushtruar ndaj tyre presion psikologjik të vazhdueshëm.
Rasti është regjistruar në fshatin Jagodinë dhe sipas asaj që sqaron policia, personi i dëmtuar pretendon se në drejtim të tij është hedhur benzinë nga ana e mësuesit.
Ndërkohë pas këtij konflikti ZVA Elbasan pezulloi nga detyra mësuesin në momentin që të gjithë prindërit kanë shfaqur ankesa dhe papajtueshmëri me mënyrën se si sillej në klasë.
“Në vijim të informacionit të dhënë dje, për kanosjen e shtetasit I. K., ju bëjmë me dije se nga hetimet e mëtejshme të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, rezultoi se autori i dyshuar, shtetasi E. K., 34 vjeç, me profesion mësues, e ka kanosur shtetasin I. K., sepse pretendon se ky i fundit i ka dëmtuar imazhin si mësues. Më tej, në deklarimin e tij, shtetasi I. K. pretendon se përveç kanosjes me fjalë, 34-vjeçari ka hedhur në drejtim të tij, një bidon dyshohet me lëndë djegëse (benzinë) që e ka marrë në automjet. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit, për të vijuar hetimet për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”., thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje