TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Shtator 2025, 10:11

Minatori humbi jetën gjatë punës në Bulqizë, arrestohen 2 punonjës; nën hetim drejtuesi teknik

Shkruar nga Pamfleti

Minatori humbi jetën gjatë punës në Bulqizë, arrestohen

Dy persona janë arrestuar nga policia ndërsa një tjetër është proceduar në gjendje të lirë pasi një minator humbi jetën tragjikisht ditën e djeshme.

Sipas policisë, dy të arrestuarit janë punonjës të stafit teknik ndërkohë kanë nisur hetimet për drejtuesin teknik të subjektit.

Hetimet treguan se personat përgjegjës nuk kishin marrë masat e nevojshme të sigurisë në punë, gjë që çoi në humbjen e jetës së minatorit.

“Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në punë, në subjektin minerar ku humbi jetën dje shtetasi K. D., arrestohen 2 punonjës të stafit teknik dhe procedohet penalisht, në gjendje të lirë, drejtuesi teknik i subjektit.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësisë në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në zonën D, Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi K. D., 38 vjeç, dyshohet se, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit:

G. K., 47 vjeç, me detyrë brigadier;

B. C., 62 vjeç, me detyrë teknik, të dy banues në Bulqizë.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. P., 67 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtues teknik në subjektin minerar.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen”, njoftoi policia.

 

Lini një Përgjigje