
Tre shqiptarë kanë rënë në pranga dhe një sasi e madhe droge është sekuestruar në Bolonja të Italisë.
Aksioni për goditjen e organizatës së narkotrafikut në Funo di Argelato ndodhi disa ditë më parë, mirëpo policia e konfirmoi sot.
Operacioni u bë i mundur falë një përpjekjeje hetimore të synuar që identifikoi bazën logjistike të grupit dhe sekuestroi një total prej 20 kilogramësh hashash, si dhe 44500 euro në para të gatshme.
Oficerët e përqendruan vëmendjen e tyre në një apartament që ndodhej në Funo di Argelato, që mendodhet se përdores si bazë për shitjen e narkotikëve.
Gjatë operacionit, oficerët vunë re më të riun nga tre të arrestuarit, një 20 vjeçar shqiptar duke dalë nga godina për në Via San Giobbe. Atje, ai iu afrua një Renault Clio, brenda të cilit ndodhej një shtetas tjetër shqiptar, 34-vjeçar. Të dy u vunë re duke shkëmbyer disa tufa me kartëmonedha; më pas, burri më i ri mori një çantë të madhe të bardhë nga dera e pasme e “Clio”-s, duke e vendosur atë në një “Fiat 500” të parkuar aty pranë.
Policia ndërhyri menjëherë dhe i kontrolloi dy të rinjtë.
Brenda çantës së bardhë, të vendosur në “Fiat 500”, ata gjetën afërsisht 200 blloqe kanabisi, me një peshë totale prej 20 kilogramësh.
Pesë pako me para të gatshme, me një vlerë totale prej 42,500 eurosh , u sekuestruan në “Renault Clio” të shtetasit 34-vjeçar shqiptar, përveç 1000 eurove të tjera të gjetura brenda çantës së tij të shpinës.
Kontrolli vazhdoi më pas brenda apartamentit në Funo di Argelato, ku policia identifikoi një të tretë, po shqiptar, 44 vjeç. Brenda shtëpisë, ata gjetën 1 kilogram marijuanë, 179.66 gramë hashash, materiale paketimi për drogë dhe 1000 euro të tjera në para të gatshme, të mbajtura në çantën e shpinës së njërit prej tre të arrestuarve, informon media italiane.
Më i vjetri sipas policisë, kishte precedentë penalë të mëparshëm në Itali për çështje droge. Të tre u dërguan në burgun Rocco D’Amato në Bolonja, ku do të mbahen nga autoritetet gjyqësore, pas masës arrest me burg për dy prej tyre dhe për më të riun, 20-vjeçarin, u vendos arrest shtëpiak me byzylyk elektronik.
Lini një Përgjigje