Hajdari telefonon numrin e emergjencës 112, i cili e lidh me shërbimin mjekësor 118. “Motra ime nuk ndihet mirë", i thotë operatorit gjatë një telefonate që zgjat 11 minuta. Më pas, i riu humb ndjenjat.
“Nuk munda t’i shpëtoja, nuk munda t’i shpëtoja.” Këto fjalë, të përsëritura vazhdimisht, janë dëshmia e dhimbjes së Turim Kolës përballë të afërmve dhe miqve. Ai sapo ka dalë nga spitali i Pizës, ku ishte shtruar për helmim. “Humba ndjenjat,” tregon ai.
Turim Kola i ka shpëtuar monoksidit të karbonit që, mbrëmjen e së mërkurës, i mori jetën katër anëtarëve të familjes së tij: Arti Kola, 44 vjeç, bojaxhi; bashkëshortes së tij Jonida, 48 vjeçe, shtëpiake; djalit Hajdar, 22 vjeç, elektricist; dhe vajzës Xhesika, 15 vjeçe, nxënëse.
Në orën 21:48, karabinierët arritën të japin alarmin, pasi dy prej tyre u helmuan së bashku me Turimin, vëllain e viktimës, gjatë përpjekjes për të hyrë në banesën në fshatin Rughi, ku askush nuk po hapte derën. Prokurorja e çështjes, Paola Rizzo, ka hapur një hetim për vrasje të shumëfishtë nga pakujdesia dhe ka urdhëruar ekzaminimin e jashtëm të trupave si dhe analizat e gjakut për të konfirmuar se shkaku i vdekjes ishte monoksidi i karbonit. Sipas të dhënave paraprake, të paktën djali Hajdar ishte ende gjallë në momentet e para të alarmit.
Dinamika e ngjarjes
Në orën 19:58 të së mërkurës, Hajdari telefonon numrin e emergjencës 112, i cili e lidh me shërbimin mjekësor 118. “Motra ime nuk ndihet mirë", i thotë operatorit gjatë një telefonate që zgjat 11 minuta. Më pas, i riu humb ndjenjat.
Ambulanca mbërrin në orën 20:03, por në adresën e gabuar. Hajdari kishte dhënë, me gjasë i hutuar nga monoksidi, numrin 168 në vend të 186, një diferencë prej rreth 350 metrash. Ambulanca nuk largohet, pyet fqinjët dhe bie në zilet e banesave përreth, por nuk arrin të gjejë adresën e saktë. Në këtë pikë kërkon ndihmën e karabinierëve, të cilët arrijnë të identifikojnë personin që kishte dhënë alarmin dhe kështu edhe adresën e saktë.
Në orën 21:46, ambulancat ndodhen përpara derës së familjes Kola. Turim Kola dhe dy karabinierë tentojnë të hyjnë në banesë, por mungesa e oksigjenit i bën edhe ata të ndihen keq dhe transportohen me ambulancë. Zjarrfikësit, të mbërritur ndërkohë, vënë në siguri godinën. Mjekët e 118-s nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të konstatojnë vdekjen e Arti Kolës, bashkëshortes Jonida dhe fëmijëve Hajdar e Xhesika, të gjetur në dhomën e gjumit të vajzës.
Hetimet për kaldajën
Prokuroria duhet të përcaktojë nëse kaldaja e cila rezulton të jetë e re dhe pjesërisht ende e mbështjellë me celofan ishte e regjistruar, nëse ishte instaluar siç duhet dhe nëse i ishte nënshtruar kontrolleve dhe kolaudimeve të parashikuara nga ligji. Banesa ku ndodhi tragjedia është sekuestruar me urdhër të autoriteteve gjyqësore.
Shtëpia ishte pronë e Arti Kolës, i cili e kishte blerë rreth tre vjet më parë, por familja ishte zhvendosur aty vetëm prej gjashtë ose shtatë muajsh. Banesa dyshohet se ishte restauruar pjesërisht nga vetë Arti, me ndihmën e disa miqve. Hetimet do të sqarojnë se kush e ka instaluar kaldajën.
Dhimbje në komunitet
Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin e vogël në provincën e Luçës. Miq dhe familjarë u mblodhën në shtëpinë e nënës së Artit, gjyshes së dy fëmijëve. Për orë të tëra ajo nuk ishte në dijeni të asaj çfarë kishte ndodhur, deri sa, me kalimin e kohës, e kuptoi tragjedinë dhe dikush u detyrua t’ia konfirmonte: djali, nusja dhe nipërit kishin humbur jetën. Pas lajmit, ajo pati një gjendje të rënduar shëndetësore dhe u trajtua në banesën e saj nga shërbimi 118.
Familja Kola ishte shumë e respektuar në Porcari. Për këtë arsye, parada e Karnavalit të Porcarit, e planifikuar për të dielën e ardhshme, u anulua. Në vend të aktivitetit të parashikuar në famulli për të shtunën, në kishën San Giusto në Porcari do të mbahet një vigjilje lutjeje, pas një momenti përkujtimor që u zhvillua në kishën e Segromigno in Piano.
Edhe në Camigliano, në komunën e Capannori, në shkollën e mesme që frekuentonte Xhesika, shokët dhe shoqet e klasës mblodhën poezitë e saj. Para shtëpisë së familjes Kola u vendosën buqeta me lule dhe një tullumbace e kuqe në formë zemre.
Në Porcari, thotë kryebashkiaku, kujtimet kthehen në të kaluarën që nga 28 shkurti 1992, kur monoksidi i karbonit vrau Raffaello Malanca-n, gruan e tij Piera Calistri dhe dy vajzat e tyre, Ilaria-n dhe Greta-n: ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre për shkak të helmimit nga monoksidi i karbonit./Përshtatur nga Corriere della Sera
Me vjen keq per qendrren e thirrjeve urgjente ne itali, qe nuk e shikojne dot akoma ne kohe reale vendodhjen e thirrjes! Sepse kane helikoptere, e spitale shume te mira, por çe do se jan humbur 1:45min per ti gjetur. Ose eshte neglizhence, Jane 4 jete , duhet hetuar!