
Një 23-vjeçar shqiptar nga Peshkopia është arrestuar në Kroaci, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për trafik ndërkombëtar droge. I riu akuzohet se është pjesë e një organizate kriminale që vepronte në territorin italian.
Ai pritet të ekstradohet drejt Italisë, ku do të përballet me drejtësinë.
"Një 23-vjeçar, banues në Peshkopi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Kroaci.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Hetimeve Paraprake e L’Aquilas, Itali, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal italian.
Ky operacion i suksesshëm u realizua falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara, mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin ndërkombëtar, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vënien e tyre përpara drejtësisë", njofton policia.
Lini një Përgjigje