
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës ka vendosur këtë të hënë masën e sigurisë “arrest në burg” për Shkëlqim Qenaj dhe Avdulla Mallaki, të akuzuar për trafik të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë.
Dy të dyshuarit, banues në Prizren u arrestuan më 4 korrik nga policia e Kukësit në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, pranë kufirit të gjelbër.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrollit në automjetin e tyre, efektivët gjetën dhe sekuestruan 8 armë zjarri, të vendosura në çanta të ndara në bagazhin e makinës.
Hetimet paraprake tregojnë se armët dyshohet se do t’i shisnin dy personave të tjerë, të cilët u larguan menjëherë sapo vunë re prezencën e policisë. Ata janë ende në kërkim nga autoritetet.
Ky nuk është rasti i parë i goditjes së grupeve kriminale që merren me trafik armësh në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Më 30 maj, pas një hetimi pesëmujor, policia arrestoi 10 persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Lini një Përgjigje