
Lokali që u sulmua me armë zjarri sot në mbrëmje në “Don Bosko” rezulton në pronësi të një emri të njohur të botës së krimit. Mësohet se pronari është Fatjon Murati, i cili doli në skenë pak kohë më parë, pasi u arrestua nga policia në një makinë me ish-kreun e Bandës së Durrësit Indrit Dokle.
Persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash ndaj lokalit dhe për pasojë ka vdekur një grua që dyshohet se ishte punonjëse në lokal, ndërsa 5 të tjerë janë plagosur. Pista që po hetohet është ajo e hakmarrjes, pasi Murati akuzohet se ka dijeni apo se është i përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Së pari, ai u arrestua sepse akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që kishte një bazë armësh në Tiranë. Ai ishte shpallur në kërkim dhe u arrestua në tetot të viti që lamë pas. Ai vetë në atë kohë mohoi akuzat.
"…Armët nuk janë të miat dhe s’kam asnjë lidhje me to. Jam i paqartë se në çfarë rrethana është ndodhur gjurma ime e gishtit në një prej kutive, ku mbahej pistoleta, por jam i bindur se gjithçka është aksidentale. Unë kam njohje me të arrestuarin Kristjan Gjini, dhe para disa kohësh këtij personi ja kam marrë borxh makinën. Makinën në pjesën e pasme të saj, e kam pastruar duke hequr disa kuti letre, por pa e ditur se çfarë kishte brenda tyre. Besoj shumë, se ky ka qenë momenti ku mund të kem lënë shenjën e gishtit në kutinë e gjendur në banesën e Kristjan Gjinit…”, ka rrëfyer në polici Fatjon Murati.
Por emri i tij ka dalë dhe te maskara e Fushë Krujës, ku u vranë 3 persona, mes të cilëve kushëriri i Ervis Maritnajt, Brilant Martinaj.
Prokuroria e Krujës kërkoi marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin e ndodhur në zonën e njohur si mbikalimi i Fushë Krujës, ku mbetën të vrarë tre të rinjtë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata. Mes emrave që kërkonte organi i akuzës të pyeteshin ishte edhe Murati. Ai ju shmang dhënies së dëshmisë, deri në momentin që u arrestua. Nuk dihet nëse sulmi sot ka të bëjë apo jo me këto ngjarje. Po ashtu nuk dihet nëse ai është ende në qeli, apo është liruar nga drejtësia. /Pamfleti
Lini një Përgjigje